Nesër lëshohen në qarkullim pullat postare për Ditën e Evropës

8 Maj, 2018 - 3:22 pm

Për nder të Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës nesër lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2018 – Urat”.

Urat e punuara me blloqe guri me harqe, që shfaqen në këto pulla postare, janë ndërtime arkitekturore të Kosovës që i përkasin shek. XVI-XX.

Në pullën me vlerë nominale 2 euro është paraqitur Ura në Grykën e Rugovës e ndërtuar gjatë Mesjetës, mbi Lumëbardh që kalon në kanionin e bjeshkëve piktoreske të Pejës.

Ndërkaq, pulla me vlerë nominale 1 euro bartë imazhin e Urës së Vjetër të Gurit në qendrën e qytetit të Prizrenit, e ndërtuar mbi shtratin e Lumbardhit në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI.
Të dy këto ura janë ndër destinacionet më atraktive të turistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ndërtimet karakteristike të këtyre urave u punuan nga mjeshtër të kohës të ndihmuar edhe nga banorët vendas, me material të po atij lokaliteti.
Për madhështinë e tyre me vlerat kulturore e arkitektonike që bartin, ato sot janë në listën e trashëgimisë kulturore të Shtetit të Kosovës.

Filatelia e Kosovës çdo vit emeton pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore të vendit tonë me qëllim të promovimit të saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme