Nesër mbahen “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit 2018” në Stubëll të Vitisë

21 Shtator, 2018 - 11:20 pm

Për të 29 herë me radhë organizohen takimet kulturore, letrare dhe shkencore “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit 2018”, që do të mbahen në Stubëll të Vitisë, të shtunën, më 22.09. 2018.

Në akademinë shkencore, do trajtohet figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 550 vjetorin e kalimit në amshim. Në këtë akademi do të marrin pjesë studiues me kumtesat e tyre, si: Prof. dr. Jahja Drançollit, Dr. Antonio Belushit, Prof. dr. Lucia Nadinit (Itali), Dr. Muzafer Bislimit (Shkup), Dr. Mark Palnikaj (Tiranë), Prof. dr. Erenestina Halili – Gjergjit (Tiranë).
Në këtë përvjetor do bëhet dhe përurimi i bustit të Skënderbeut, vepër e Prof. Agron Bytyqit.
Në kuadër të akademisë, me rastin e 170 vjetorit të kthimit në atdhe të martirëve të Malit të Zi të Shkupit – Martirët e Karadakut, të internuar të Muhaliq të Turqisë (1846-1848),vjen historia e tyre, sa tronditëse, po aq madhështore, përmes kumtesës së studiueses së mirënjohur franceze, Dr. Odette Marquet.

Në fakt, për këtë përvjetor bëhet botimi i një vepre të veçantë të kësaj studiueseje për historinë në fjalë, me titull: “Persekutimi i shqiptarëve të Malit të Zi të Shkupit (Stubëll, Binçë, Vërnakollë dhe Terziaj) në shekullin XIX sipas burimeve franceze”. Janë një sërë dokumentesh në gjuhën frënge (të përkthyera dhe në gjuhën shqipe) që prezantohen në këtë libër. Autorja, së shpejti, del dhe me botimin e një vepre tjetër në gjuhën frënge, për këtë dramë të historisë së popullit tonë.
Krijuesit nga trevat shqiptare, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Orën e Madhe Letrare, e cila ka karakter garues.
Këngë, kushtuar Skënderbeut-Kryezotit të Arbërisë, vijnë përmes zërit kumbues të yllit të muzikës shqiptare, Shkurte Fejza, ndërkaq ansambli “Albafolk” nga Gjilani, do përformojë disa valle arbëreshe, shkruan drita.info

Programi i plotë:
08:00: Nisja nga Prishtina (autobusi për të interesuar niset nga Katedralja)
09-09:00: Pritja e mysafirëve
09:35-09:50: Moment meditimi – reflektimi (Don Dominik Qerimi)
10:00: Fjalimet përshëndetëse
10:10: TRIBUNA SHKENCORE (për vitin jubilar 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut)
Ligjëruesit:
Prof. dr. Jahja Drançolli, Prishtinë
Dr. Antonio Belushi, Itali
Dr. Lucia Nadin, Itali
Dr. Mark Palnikaj, Tiranë
Prof. dr. Muzafer Bislimi, Shkup
Dr. Odette Marquet, Franë
11:00: Ora e madhe letrare
12:05: Ndarja e çmimit “Agim Ramadani”
12:15: Program argëtues (Shkurte Fejza dhe “Albafolk” Gjilanë)
13:00: Përurimi i bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut te Sheshi i Martirëve
13:00: Dreka (restorant “Jozefi”)./ KultPlus.com

Të ngjajshme