Nesër vihet guri themeltar i Muzeut të gjenocidit serb në Bllacë

9 Prill, 2019 - 5:30 pm

Zyra për informim e kryeministrisë së Kosovës ka bërë me dije se nesër do të vihet gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”.

“Në kujtim dhe nderim të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën dhe eksodin e 99-ës, në kujtim dhe nderim të gjithë të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve, në respekt dhe falënderim për të gjithë ata që ndihmuan popullin shqiptar dhe Kosovën në vitin 1999, Zyra e Kryeministrit, më 10 prill 2019, organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb ‘Bllaca 99’”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Vënia e gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb do të bëhet në orën 14:00 në Bllacë të Komunës së Hanit të Elezit.

Pas fjalimeve të liderëve të Kosovës dhe të ftuarve të tjerë në këtë ceremoni dhe një programi artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, do të hapet edhe ekspozita me fotografi nga kampet e refugjatëve e fotografit profesional nga Brukseli, Asllan Krasniqi.

Në orën 15:05 do të bëhet hapja e mitingut të poezisë “Bllaca 99”, me pjesëmarrjen e mbi 90 poetëve nga të gjitha trevat shqiptare;

në ora 15:15 do të bëhet mbjellja e 99 fidanëve.

Për të gjithë qytetarët e interesuar, Hekurudhat e Kosovës kanë organizuar transport të posaçëm nga Mitrovica, që niset në ora 11:00 dhe ndalet në të gjitha stacionet, deri në arritjen në Bllacë, në ora 14:00.

Të ngjajshme