6 Gusht, 2025 - 10:15 am
Dikur vendstrehim i ndërtuar për të mbrojtur jetën në kohë lufte, sot një simbol i ringjalljes përmes artit dhe bashkësisë. Në zemër të lagjes Ulpiana në Prishtinë, bunkerët e errët, të harruar e të mbushur me lagështi, kanë nisur një kapitull të ri: janë shndërruar në një hapësirë moderne, të ndritshme dhe të hapur për të gjithë.
Ky transformim rrënjësor është më shumë se një rikonstruktim fizik. Është një mesazh i qartë: çdo hapësirë, sado e errët apo e frikshme që ka qenë në të kaluarën, mund të bëhet vend i dritës, i krijimtarisë dhe i bashkimit. Sot, aty ku dikur sundonte heshtja dhe frika, lind jeta përmes artit, ngjall kureshtje tek fëmijët dhe ngjiz ide e ëndrra të reja për të ardhmen, transmeton KultPlus.
Hapësira e re kulturore në Ulpianë përfaqëson një vizion të qartë për transformim social dhe kulturor. Nga një vend i izoluar, në një epiqendër të bashkëpunimit e frymëzimit. Është një hap konkret drejt përfshirjes së komunitetit, veçanërisht të të rinjve, në aktivitete kulturore, arsimore dhe kreative që nxisin zhvillimin personal dhe shoqëror.
Ky projekt u bë i mundur falë financimit nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut, në partneritet me UNDP Kosovë, dhe do të menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Një bashkëpunim ndërkombëtar dhe lokal që dëshmon se ndryshimi është i mundur kur vizioni shoqërohet me përkushtim dhe mbështetje konkrete.
Qendra e re për Art dhe Kulturë do të shërbejë si një urë lidhëse mes brezave, duke krijuar një hapësirë të sigurt dhe stimuluese për fëmijët, të rinjtë dhe gjithë banorët e lagjes. Një vend ku talentet e reja mund të shprehen, ku komuniteti mund të mblidhet, dhe ku kujtimet e errëta të së kaluarës shndërrohen në dritare të së ardhmes.
Kryeqyteti, edhe një herë, po dëshmon se di si të kthejë sfidat në mundësi, dhe të ndërtojë nga rrënojat një të ardhme që frymëzon./KultPlus.com