Nis panairi mbarëkombëtar i suvenireve turistike “Saranda ’22”

18 Gusht, 2022 - 12:00 pm

Në Sarandë ka nisur panairi i 10-të mbarëkombëtar i suvenireve turistike me qasje mjedisore “Saranda 2022”. Panairi organizohet me mbështetjen e bashkisë Sarandë, në një moment kur qyteti është në kulmin e pritjes së turistëve, në mënyrë që edhe vëmendja ndaj këtij panairi të jetë maksimale.

Stendat e prodhuesve të suvenireve, do të qëndrojnë përgjatë 4 ditëve (17-20 gusht) në shëtitoren buzë detit në Sarandë. Eventi është organizuar nga Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias e Informacionit, duke pasur mbështetjen e plotë të Bashkisë Sarandë, kryetari i së cilës, është njëkohësisht president i panairit.

Organizatorët kanë kërkuar më herët që pjesëmarrësit të garantojnë që të gjitha prodhimet të jenë autentike, të mos ekspozojnë artikuj industrialë dhe as me origjinë nga vende të tjera por vetëm ato që kanë lidhje më traditën shqiptare të artizanatit.

Sipas kryebashkiakut Adrian Gurma, do të jetë kënaqësi për çdo vizitor të Sarandës që bëhet edhe vizitor i panairit, të shohë se tradita e artizanatit shqiptar është e tëra në këtë panair.

Sipas AJMMI në këtë event jubilar për panairin e Sarandës, do të marrin pjesë rreth 100 subjekte, artizanë nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe ato etnike. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme