11 Gusht, 2025 - 8:35 pm
Një nga monumentet më të hershme të Myzeqesë, kisha 1.300-vjeçare e “Shën Todrit” në fshatin Arrëz të Lushnjës, ka hyrë në një fazë të rëndësishme restaurimi. Ndërhyrja u konsiderua urgjente, pasi ndërtesa rrezikonte shembjen për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike dhe tërmetet ndër vite.
Punimet, të mbështetura nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, po përqendrohen kryesisht në rikonstruksionin e çatisë dhe riparimin e mureve të degraduara. Kjo kishë, e cila besohet të jetë e dyta më e vjetër në zonë pas manastirit të Ardenicës, mbart jo vetëm vlera të veçanta fetare dhe historike, por edhe një arkitekturë të rrallë. Për këtë arsye, ajo gëzon statusin e “Monumentit të Kulturës” të kategorisë së parë, përcjellë KultPlus.
E mbyllur për besimtarët që prej vitit 2020 për shkak të amortizimit, kisha pritet të hapet sërish brenda pesë muajve, madje punimet po ecin me ritme të tilla që afati mund të përfundojë më herët. Drejtuesit e saj theksojnë se, krahas restaurimit të ndërtesës, mbetet e rëndësishme edhe rregullimi i rrugës që të çon drejt këtij objekti të trashëgimisë.
Pas restaurimit të kishës në Bishqethëm, ky është projekti i dytë i këtij lloji që realizohet në Lushnjë, duke treguar përkushtimin për ruajtjen e monumenteve me vlera të rralla historike dhe shpirtërore./KultPlus.com