Nis rindërtimi i Kishës së Shën Thanasit

16 Prill, 2018 - 4:30 pm

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mori pjesë në këtë fundjavë në ceremoninë e bekimit të punimeve për rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit, Dhërmi. “Jam shumë e nderuar që sot isha pjesë e ceremonisë së bekimit të rindërtimit të Kishës së Shën Thanasit, në javën e shenjtë të ringjalljes së Krishtit.

Mbajtëm premtimin e dhënë nga Qeveria shqiptare banorëve të Dhërmiut, dy vjet më parë. Falë punës së përbashkët nga Ministria e Kulturës, Bashkia Himarë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe fshati Dhërmi, treguam se me vullnet të mirë, me dialog e zemër të hapur bëhen punët e mira e të paqme!”, u shpreh Kumbaro. Ceremonia që shënon një ditë të bekuar për besimtarët ortodoksë, trashëgiminë kulturore dhe banorët e Dhërmiut u bë në javën e shenjtë të ringjalljes së Krishtit. Në ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, kryeplaku i Himarës, Aleks Marko, banorë, etj.

Kisha e re është ende në themelet e para të ndërtesës, por po ngrihet në të njëjtin vend ku ndodhej e para. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka parë nga afër punimet për rindërtimin e kishës në Dhërmi, duke theksuar se referuar turizmit kulturor në jug të vendit, në fokus mbeten edhe qendrat historike të fshatit Dhërmi dhe Vuno, të bashkisë së Himarës, të cilat do të jenë gati për sezonin turistik të këtij viti. “Rruget e Besimit” eshte njeri nga destinacionet e Turizmit Kulturor.

Bëhet fjalë për një investim rreth 7 milion euro, me qendrën historike të Dhërmiut dhe Vunoit, por edhe kishën e shumpërfolur të Shën Thanasit në Dhërmi, ndërsa synimi mbetet turizmi gjithëvjetor dhe jo vetëm në muajt e verës në jug të vendit. Kryetari i bashkisë Himarë Jorgo Goro ka theksuar se qëllimi mbetet që zonat historike në jug të vendit dhe kryesisht në bashkinë Himarë të jenë qendra të rëndësishme historike, për një turizëm jo vetëm në det, por kryesisht në promovimin e kulturës dhe historisë.

Qendra historike e fshatit Dhërmi dhe Vuno, por edhe ndërhyrje të tjera në jug të vendit janë padyshim investime që synojnë ndryshime të rëndësishme në thithjen e turistëve vendas dhe të huaj, ndërsa krahas detit dhe resurseve të tjera, në fokus mbetet padyshim edhe turzimi kulturor. Qëllimi mbetet edhe rikthimi i banorëve në këto zona, për të investuar në bashkinë Himarë, me qëllimin rikthimin e turizmit kulturor në jug të vendit./ KultPlus.com

Të ngjajshme