Nisën sot aktivitetet e Javës Amerikane me restaurimin e Kalasë së Prezës

15 Maj, 2022 - 11:00 pm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, njoftoi se, sot nisin aktivitetet e Javës Amerikane, në kuadër të 100-vjetorit të bashkëpunimit Shqipëri-Amerikë.

Java Amerikane nisi sot me një ceremoni që shënonte bashkëpunimin e veçantë midis Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Suedisë pas tërmetit shkatërrues në nëntor të 2019-ës.

Me mbështetjen prej 800,000 dollarë nga Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Kulturës (AFCP), Ambasada e Shteteve të Bashkuara financoi restaurimin e monumenteve të rëndësishme kulturore në Shqipëri, ndërsa çdo monument kishte nevojë për stabilizim kritik të menjëhershëm, metoda të ndërlikuara konservimi dhe rindërtime të shumta.

“Ju ftojmë të bashkoheni me ne për të admiruar Kalanë e saporestauruar të Prezës, e cila u inaugurua sot, në një ceremoni në nder të kontributeve të AFCP-së dhe të gjithë palëve të tjera që mbështetën këto përpjekje”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim iu bashkua ministres së Kulturës Elva Margariti, zëvendësministres së Kulturës Meri Kumbe, zëvendësambasadores suedeze Petra Burcher, Elena Mamanit dhe ekipit të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij, për të festuar kullat e rinovuara të kështjellës dhe për të nderuar partneritetet e jashtëzakonshme që e bënë gjithçka të mundur.

“Urime arkitektëve, inxhinierëve dhe historianëve të përkushtuar, të cilët e bënë këtë projekt kaq të suksesshëm. Historia dhe trashëgimia e Kalasë së Prezës do të vazhdojë të edukojë dhe frymëzojë brezat e ardhshëm që do të vizitojnë këtë vend historik të bukur”, u shpreh Kim.

Ky program i Departamentit të Shtetit ka financuar jo vetëm restaurimin e objekteve të tjera kulturore të prekura nga tërmeti, por përgjatë viteve ka mbështetur restaurimin, ruajtjen dhe dokumentimin e shumë monumenteve dhe pjesëve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Mbi 11 projekte janë mbresëlënëse janë realizuar përmes këtij programi për të ruajtur kulturën e mrekullueshme të Shqipërisë.

Java Amerikane do të zhvillohet nga 15 maj deri në 21 maj. Në axhendën e aktiviteteve është parashikuar një javë plot me muzikë, kulturë dhe argëtim amerikan, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme