Një copë Dardanie që Italia të njohë historinë e Kosovës

16 Shkurt, 2019 - 10:33 pm

Është detyrë e diasporës që bota ta njohë historinë e shqiptarëve, padrejtësitë e gjenocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptar nëpër shekuj. Edhe ata që e njohin pak Kosovën, duhet ta dinë drejtë historinë e shtetit që po mbush 11 vjet, sipas komunitetit shqiptar në Parma të Italisë.

Në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, festimet nuk do të mungojnë gjithandej nëpër botë. Për dallim nga festat e zakonshme, komuniteti shqiptar në Parma të Italisë ka vendosur ta organizojë festimin më ndryshe, shkruan Koha.net.

Nga tetori i vitit 2009 në Parma funksionon shkolla shqipe “Scanderbeg”, shkollë që ka pasur disa iniciativa për të mbajtur gjallë patriotizmin e atdhedashurinë. Nuk mund të numërohen iniciativat e kësaj shkolle nga festimet për 28 Nëntorin, në mbledhje tjera për 1 Qershor, përgatitje të panaireve turistike lokale për qytetin e Parmës e rrethina, teatër e recitime nga autorë të mëdhenj shqiptarë e deri te koncerte e festime për pavarësinë e Kosovës.

Kjo e fundit do të mbledhë sërish komunitetin shqiptar në disa aktivitete të njëpasnjëshme për disa ditë të muajit shkurt.

“Javën e Kosovës”, shkolla shqipe “Scanderbeg” e nisi më 10 shkurt kur në ambientet e kësaj shkolle në Parma, në një qendër që u është dhënë nga Bashkia e Parmës, u zhvillua një leksion i hapur për nxënësit, prindërit dhe qytetarët e komunitetit shqiptar në Parma. Me recitime e pjesë teatrale do të vazhdojë mbrëmja kulturore më datën 16 shkurt. Sipas shkollës, protagonistë do të jenë vetë nxënësit e saj, por edhe të rinjtë e grupit artistik “Një mijë Yje”, me mësuesen Loreta Shahini, të Forumit të Gruas Shqiptare në Parma, me të cilët bashkëpunojnë dhe bëjnë koreografi të valleve shqiptare. Të shtunën e të dielën, në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në bibliotekën ndërkombëtare të qytetit të Parmës do të tregohet historia e Kosovës dhe lidhja me Shqipërinë.

Një galeri e Arben Llapashticës do të jetë pjesë e asaj që shkolla e quan “një cope të Dardanisë në Parma”. Me këtë organizim, komuniteti shqiptar dëshiron ta njoftojë popullin italian me historinë e drejtë për Kosovën. Ajo do të jetë e hapur të shtunën dhe të dielën.

“Të dielën me 17 Shkurt 2019 në orën 15.30 në bibliotekën ndërkombëtare të bashkisë së qytetit të Parmës do të jetë një takim shumë interesant i hapur për qytetin e Parmës dhe rrethinave ku dëshirojmë t’i tregojmë vendasve historinë e Kosovës, lidhjen e Shqipërisë me Kosovën. Mediat e huaja, dhe flas më shumë këtu në Itali, nuk e paraqesin gjithmonë drejt historinë e Kosovës e shpesh nuk e njohin fare. Kjo është detyrë për ne shqiptarët në diasporë, t’i njohim botës historinë tonë, padrejtësitë, gjenocidin e ushtruar mbi popullin tonë në shekuj. Pasditja do të hapet me prezantimin e një Galerie fotografike të Arben Llapashticës të titulluar ‘Kosovë o Lule e Bukur e Shqipnisë’. Ndihemi të nderuar dhe vërtetë të lumtur për këtë bashkëpunim. Dëshirojmë të sjellim një copë të Dardanisë këtu në Parma. Gatishmëria e fotografit, por mbi të gjitha shqiptarit të mirë, Arben Llapashtica na e bëri zemrën mal. E gjetëm mik pas miku nëpërmjet rrjeteve sociale. Bashkëpunim i shkëlqyer”, ka treguar për Koha.net mësuesja e muzikës, kulturës e traditave shqiptare në këtë shkollë, Elvira Lashi.

Në anën tjetër, Llapashtica ka thënë se ishte mrekulluar nga iniciativa e diasporës atje dhe me emocione kishte zgjedhur fotografitë për të cilat ka menduar se do të paraqitnin më të bukurën për Kosovën.

“Personalisht jam kontaktuar nga zonja Elvira Lashi e cila u prezantua si mësuese e shkollës shqipe ‘Skënderbeu’ në Parma, të Italisë. Më tregoi për iniciativën, manifestimet që po përgatisnin për të kujtuar ditën e Pavarësisë së Kosovës. U mrekullova dhe e përgëzova për iniciativën, motiv për të cilin dëshironte që një fotograf shqiptar të ishte pjesë e manifestimit”, ka thënë ai duke shtuar se ishte befasuar për të mirë për punën e bërë në shkollën shqipe në Parma. “Nuk hezitova aspak dhe i emocionuar zgjodha më të bukurën për Kosovën tonë. Uroj të kemi dërguar një pjesë të bukur të tokës, natyrës, njerëzve tanë për të dhënë një mesazh pozitivë për vizitorët shqiptarë e italianë”, ka thënë Llapashtica.

Edhe më të veçantë këtë përvjetor, për diasporën po e bëjnë diskutimet e përditshme politike për korrigjime kufijsh.

“Ndjekim me shumë interes lajmet e përditshme dhe zhvillimet politike në Kosovë, kjo falë rrjeteve sociale por edhe TV satelitor: Në këtë moment vërtetë të vështirë ku Kosovës i kërkohet akoma të sakrifikojë e të dhurojë territore, çdo shqiptar e patriot e ndjen dhimbjen dhe përpara syve u dalin karvanet e gjata të dyndjeve, vrasjeve dhe vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës në luftën absurde të ’99. Ne si mësues të shkollës shqipe Scanderbeg në Parma Itali jemi mobilizuar e përgatitur për ta kujtuar në mënyrën më solemne këtë përvjetor”, ka thënë Lashi.

Lashi ka shpjeguar se në pasditen e së dielës do të shfaqet një dokumentar në gjuhën italiane të transmetuar nga një televizion italian dhe për të mbyllur gjithçka, është ftuar Myftar Gjonbalaj për të promovuar disa nga botimet e tij, ku një pjesë i është dedikuar Kosovës. Siç e do zakoni nga ky komunitet, nuk do të mungojë “Sofra Dardane” përpara një oxhaku, sofër që përgatitet nga shqiptarët e Parmës, prindërit e shkollës. Lashi e quan pasuri të komunitetit.

Më tej, Lashi ka bërë të ditur se komuniteti shqiptar në Parma përbëhet nga rreth tetë mijë persona. Sipas saj, ky është komuniteti i dytë më i madh pas Marokut. Ata e vlerësojnë si shumë mirë të organizuar komunitetin. Aty ka organizata të ndryshme e iniciativa nga shoqata kulturore, grupe artistike për të rinj, për fëmijë, organizata grash, skuadra futbolli e shkolla shqipe. Organizimet e tilla kanë filluar qysh në vitin 2006 me iniciativa vetanake e vullnetare.

Me prejardhje nga Durrësi, drejtori i kësaj shkolle, Durim Lika, bashkëshorti i Lashit, thotë se shqiptarët në Parma e duan Kosovën po aq sa Shqipërinë. Në një përgjigje për gazetën, ai ka treguar se ka më shumë se një dekadë që i kushtohet kohë shqiptarisë në Parma vetëm që të mos humbë dashuria për atdheun te gjeneratat e reja. Ka treguar se shkolla ka rreth 30-40 nxënës. Ai ka më shumë se 20 vjet që gjendet në Itali.

Shkolla “Scanderbeg” ka hasur në sfida të shumta në mësimin e gjuhës shqipe te të rinjtë në Itali. Mësuesja Lashi ka treguar se shkollat shqipe në Itali vlejnë si kurse dhe se shteti italian nuk i njeh ato. Ata ndihmohen me qendra për zhvillim mësimi, por asgjë më shumë, sipas Lashit.

Ka thënë se as shteti shqiptar nuk bën shumë për ta.

“Shteti shqiptar ka bërë pak ose më mirë të themi aspak deri tani për shkollat shqipe në Itali, Greqi apo vende të tjera. Puna jonë është krejt vullnetare e shpesh për të shtuar zellin e fëmijëve e nxitur prindërit, ne mësuesit kemi investuar përveç kohës sonë edhe shuma ekonomike të vogla simbolike”, ka treguar Lashi.

Shkolla “Scanderbeg” deri tash ka përgatitur ditarin shkollor të personalizuar nga vetë mësuesit duke marrë parasysh nivelin e nxënësve dhe kohën në dispozicion. Shkolla zhvillohet një herë në javë, çdo të diele nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Aktualisht ajo ka dhjetë mësues, Erlinda Pjeçin, Aurela Lashin dhe Beatriçe Agon për ciklin e ulët, Durim Likën për lëndët histori e gjeografi, Elona Marika e Benard Basha për artin pamor, vizatim e pikturë, Mimoza Cerrin për letërsi shqiptare, Sabrije Kulla për gjuhë shqipe, dhe Elvira Lashin për muzikë, kulturë e tradita shqiptare. Kjo shkollë funksionon me kurrikulën e përbashkët të miratuar nga dy qeveritë shqiptare.

“Në Seminarin XIV-të Mbarëkombëtarë për shkollat shqiptare në Diasporë ne morëm pjesë për herë të parë ku edhe u njohëm me kurrikulën e përbashkët të miratuar nga dy qeveritë shqiptare të arsimit. Ne po e njohim atë dhe po mundohemi ta vëmë në zbatim. Po punojmë që në fund të këtij viti shkolla jonë të marrë pjesë krah shkollave të tjera te diasporës shqiptare në Evropë, është akoma një projekt e shpresoj që t’ia dalim”, ka shpjeguar Lashi.

Qe disa vjet, kjo shkollë bashkëpunon me shkollat në Shqipëri e Kosovë. Ajo është bashkorganizatore e Festivalit Ndërkombëtar të të rinjve, ndërsa ka bashkëpunim me shkolla të arteve, baletit, orkestrave e grupe artistike në Shqipëri. Sa i përket shkollave në Kosovë, Lashi ka treguar se shkolla shqipe në Parma ka bashkëpunim përmes profesorit Nuhi Gashi, që është organizator kryesor i seminareve mbarëkombëtare për shkollat në Itali./ koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme