Një jetë të tërë me veshjet e Dukagjinit, Hajrije Balaj një krijuese e vlerave kombëtare

15 Prill, 2021 - 10:05 pm

Suada Qorraj

Vitet e shkollës, ndonëse nuk i kishte të gjata i konsideron të bukura, madje dhe nostalgjike. Për sa kohë bankat shkollore ishin pjesë e jetës së saj, ndonëse fëmijë, asaj i besohej që herë pas here të luante edhe rolin e mësueses, e për orë të tëra ti mësonte shokët e saj. Mirëpo mundësia e shkollimit të mëtutjeshëm, Hajrie Balajt iu ndërpre në gjysmë, por jo dëshira e saj e madhe për punë, shkruan KultPlus.

“Nga klasa e dytë në të katërtën më kanë kalu, se mësuesi çdo herë ka thanë se jam shumë e zgjutë. Ka ardhë edhe te baba e i ka thanë që të mos më le pa shkollë, po nuk ishin kushtet në atë kohë”, fillon kështu rrëfimin e saj për KultPlus, Hajrie Balaj.

Ditët që erdhën pas ndërprerjes së shkollimit, Harjrien e gjetën të hidhëruar me nënën e babain, si dhe të mërzitur, aq sa siç thotë ajo, për ditë të tëra ka qarë. Por, ky inat e kjo mërzi nuk e kufizuan Hajrijen, sepse ajo filloi të mësonte profesionin të cilin që nga mosha 14 vjeçare do ta barte me vete për gjithë jetën.

“14 vjeçare kam filluar të punoj në maqinë. Nëna ime i kishte lënë gati gjërat për ti qepur motrës time këmishë të bezit për fëmijë, dhe unë, sa ish nëna duke bërë punë ja morra edhe ja kepa motrës teme këmishën. Prej kësaj dite kam fillu e s’ju kam da kurrë më”, tregon tutje Hajria.

Ajo krahas punës në makinën e qepjes, përgjatë jetës së saj ka punuar edhe në vek, madje ajo, tjerrjen e leshit që i duhej për qepje e kryente vet. Hajrija ende i ruan me nostalgji secilin mjet të punës, por dhe gjërat që ka qepur në to.

Blerja e një makine qepjeje në atë kohë nuk ishte një gjë e lehtë, sepse krahas çmimit të lartë që kishte, gjetja e saj ishte po aq problematike. Hajrija tregon se pas shumë muajsh punë kishte arritur që të mblidhte shumën e nevojshme dhe ta blinte makinën e saj të qepjes.

“Në atë kohë çka kam punuar i kam ruajtur dhe e kam blerë maqinën tem. 100 qese bojke një lopë, e maqina që e kam ble unë ka kushtu 600”, rrëfen ajo buzagaz.

Hajrija në punën e saj kishte qepur pajën e shumë nuseve, rrobat e palltot e shumë njerëzve që trokisnin në derën e saj. Ajo shpalosi për KultPlus të gjitha gjërat që një pajë duhej ti kishte, e që Hajrija i punonte.

“Atëherë kur unë kam qenë çikë, kur u martojke një vajzë, vajzës që martohej ju qepshin krejt gjërat e nevojshme për një jetë tek burri. Në qejz duhej të ishin 7 këmisha për vajzën që shkonte tek burri, pastaj edhe burrit duhej qepur 7 palë këmisha, familjes së burrit, vjehrrës… Madje, në qejz ndonjëherë përfshihej edhe takomi i djepit”, pohon Hajrija.

Tutje ajo tregon se si një ditë kur kishte shkuar në Pazar, kishte parë mbulojën që e kishte punuar sa kishte qenë e re. Lumturinë që Hajrija e kishte ndjerë në këtë moment krahas fjalëve e shprehte edhe me pamjen e gëzuar që kishte marrë fytyra e saj.

“Pas shumë vitesh e kam parë në pazar mlojsen që e kam punu kur kam qenë çikë, e nuk ish prish hiq, edhe i kam thonë atij që ka qenë tu e shit, sa po ma len se kta e kam punu unë kur kam qenë e re”, shpalos më tutje tregimet e saja Balaj, e cila shpjegon se atë mbulojë e kishte blerë nga shitësi, dhe edhe tash e mban si kujtim të veçantë.

Hajrija punën nuk e kishte kufizuar vetëm në veshjet e pajën e të tjerëve. Kur kishte ardhur koha për martesën e saj, ajo krahas veshjeve të cilat në atë kohë i paguante burri, i kishte qepur veshjet e tjera në mënyrën se si i pëlqenin asaj. Krahas veshjeve ajo kishte bërë edhe qilim e sixhade, të cilat më pas kishin zënë vend në dhomën e saj të gjumit.

Hajrija qilimin që kishte bërë për pajën e martesës e për të cilin i ishin dashur dy muaj kohë ta përfundonte e ruan ende së bashku me të gjitha gjërat që ishin pjesë e pajës së saj, e që i mbijetuan kohës. Pjesë e pajës së saj ishte edhe veshja e katundit, karakteristikë për zonën në të cilën ajo po martohej, Isniqin e Deçanit.

Kurse një nga elementet e kësaj veshjeje ishte edhe lidhësja, të cilën Hajrija ndonëse e punoi me aq mund e qejf të madh nuk arriti ta vendoste, sepse në të ishte qëndisur shqiponja dykrenare, e që për atë kohë ishte e ndaluar.

“E kam punuar këtë lidhëse me dyer mbyllë prej frike se po më zë dikush, se në katundin ku jam rrite i kam pasur kojshiket serbe. Po edhe kur erdha nuse burri s’më la me e vendosë se ai mësues, e u frigojke se mos po e burgosin e po ja humbin punën”, pohoi Balaj.

Puna për Hajrijen vazhdoi edhe pasi u martua. Tashmë ajo krahas vetës ndihmonte familjen dhe mundësonte shkollimin dhe jetën e fëmijëve të saj. Gjithsesi rrugët me të cilat e kishte përballur jeta nuk ishin çdo herë të lehta.

Ajo tregon se si ishte dashur që të merrte makinën e saj të qepjes e të shkonte në bjeshkën afër fshatit, në mënyrë që familja e madhe e asaj kohe dhe vëllezërit të mos ndaheshin. Madje shkuarja në bjeshkë e Hajrijes e kishte vënë në hall burrin e saj, se ai kishte frikën se ajo s’do të mund të punonte dhe të fitonte përmes punës së saj.

“Në atë kohë ishim shtëpi e madhe dhe më është dashtë me dalë në bjeshkë, se kunati i kishte thënë ashtu burrit tim. Unë kam marrë maqinen e kam palu në tesha edhe i kam ble materialet e nevojshme e kam punu edhe në stan”,  rrëfen Hajrija.

Rruga për tek stani i familjes nga shtëpia ku banonte Hajrija ishte pothuajse dy orë ecje në këmbë, e ajo këtë rrugë e kishte marrë çdo javë. Siç rrëfen për KultPlus ajo çdo të premte ishte kthyer në fshat së bashku me këmishat që kishte qepur, i kishte përgatitur dhe të nesërmen kishte dalë ti shiste. E diela e gjente Hajrijen përsëri në rrugën që të dërgonte në stanin ku po qëndronte familja e saj.

Hajrija punën e saj e ka trashëguar edhe tek vajzat e nusja e djalit të saj. Ajo ka pohuar se krahas mundësive të shkollimit që ju kishte dhënë secilit fëmijë, në kohën e lirë tre vajzave të saj u kishte mësuar si të qepin në makinë. Kurse pas martesës së djalit të saj, punën e ka trashëguar edhe tek nusja e tij.

Në ditët e sotme ajo merret vetëm me qepjen e veshjes së katundit për të cilën me disa elemente e ndihmojnë dy punëtoret e saja, por dhe vajza e saj me të cilën secilën nga porositë që marrin e punojnë së bashku.

Por trashëgimia e qepjes në makinë nuk është ndalur vetëm tek vajzat e Hajrijes, ngase siç rrëfen Hajrija edhe mbesa e saj Ana ka marrë po të njëjtin rrugëtim dhe tashmë është pothuajse në përfundim të shkollës në dizajnin e modës, duke e bërë kështu më kuptimplotë trashëgiminë ndër breza të familjes./ KultPlus.com

Të ngjajshme