Një muaj gërmime arkeologjike në Apoloni

2 Gusht, 2022 - 9:30 am

Akademia e Studimeve Albanologjike si dhe Parku Arkeologjik Kombëtar Apolonia, njoftuan se përgjatë një muaji do të realizohen kërkime arkeologjike në Apoloninë e Ilirisë.

Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me École Normale Supérieure Paris/Francë, Shkollën Franceze të Athinës (EfA) dhe Shkollën Franceze të Romës (EfR) do të zhvillojnë kërkimet arkeologjike në Apoloni.

Krahas gërmimeve në zonën e portës veri-lindore, projekti synon vijim e studimit të linjës së fortifikimeve, nëpërmjet realizimit të survejimit topografik dhe fotogramtetrik.

Ky projekt bashkëdrejtohet nga Belisa Muka dhe Stephane Verger, me pjesëmarrjen e arkeologëve dhe studiuesve nga institucionet bashkëpunuese dhe të studentëve nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës.

Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.

Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë patur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin.

Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme