Ollga Schweizer Libohova, aristokratja daneze që shpëtoi 100 shqiptarë nga pushkatimi

27 Tetor, 2021 - 3:57 pm

Ollga Schweizer lindi në vitin 1886 në Danimarkë. I ati i saj ishte ushtarak, oficer i lartë, ndërsa e ëma rridhte nga një familje aristokrate. Gjatë luftës me rusët e bardhë, Ollga sëbashku me familjen e saj u detyruan të largoheshin nga Danimarka.

Ata zgjodhën Parisin si vendqëndrimin e tyre të ri. Ollga kishte pasion artin, në veçanti pianon, për pasojë i ati e dërgoi me studime në Stamboll. Turqia u bë shkaku i njohjes së Mufid bej Libohovës me Ollgën, një dashuri që e solli danezen në Shqipëri.

“Ka qenë fundviti 1908 – fillimviti i 1909 kur gjyshi me gjyshen mbërritën në Shqipëri. Që prej asaj kohe madamë Ollga nuk u largua më nga vendi i bashkëshortit të saj”, rrëfen Mufid Libohova (i riu), nipi i Ollgës.

Mufid bej Libohova, firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, ish Ministër i Brendshëm, Ministër Financash, diplomat, Themelues i Bankës së Shqipërisë etj. kishte një djalë me gruan e tij të parë (e cila kishte vdekur), Malikun, ndërsa me Ollgën pati një tjetër djalë, i cili u quajt Elmas. Fatkeqësisht historia mes Mufid beut dhe danezes Ollga u mbyll shpejt. Në vitin 1927 Mufid bej Libohova ndërroi jetë. Por kjo ngjarje e hidhur nuk e ndau Ollgën nga vendi ku jetoi me bashkëshortin e saj, Shqipërinë.

“Frerët e shtëpisë i mori në dorë zonja Ollga, të cilën të gjithë ne e donim jo si gruan e Mufidit, por si të ishte libohovite”, thoshin banorët e vjetër të Libohovës – vazhdon rrëfimin e tij Mufid Libohova (i riu). – Në fillim të vitit 1944, kur gjermanët kontrollonin pothuaj të gjitha zonat e vendit, Libohova ruhej vetëm nga dy roje. Duke njohur gjuhën gjermane, Ollga Schweizer i kishte bindur gjermanët se Libohova nuk kishte të bënte me partizanët. Deri në muajin maj të atij viti Libohova mbeti si një ishull i paprekur. Gjatë asaj kohe libohovitët vazhdonin të strehonin dhe të ushqenin disa partizanë fshehurazi.

Por në operacionin e qershorit u prek edhe Libohova. Dikush kishte spiunuar se aty mbahej një partizan i plagosur. Pas një kontrolli të befasishëm në shtëpinë e kallëzuar, partizani u gjet. Të nesërmen Libohova u mbush me ushtarë gjermanë, të cilët i nxorën të gjitha familjet te rrapi i madh në qendër. Kapiteni gjerman, pasi bëri prezent arsyen e prezencës së tyre në fshat, e urdhëroi skuadronin të pushkatonte 100 burra. Edhe sot burrat më të vjetër të Libohovës na e tregojnë se si gjyshja ime, zonja Ollga, hyri mes 100 burrave që do të pushkatoheshin dhe skuadronit, duke e kërcënuar oficerin se, nëse ai do t’i vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. Si pasojë e ndërhyrjes së saj, 100 burrat shpëtuan, ndërsa dënimi ishte djegia e Libohovës.

Pas çlirimit, pikërisht në vitin 1945, me urdhër të shtetit të sapo formuar, familja e Mufid bej Libohovës u shpërngul nga sarajet ne mes te qytetit, në një stallë lopësh, ku ndenjën për 5 muaj. Në atë kohë librat më me rëndësi të gjyshit i morën, ndërsa gratë e Libohovës i detyruan që t’i nxirrnin kazanët e rrobave në sheshin kryesor dhe zjarrin ta bënin me librat tanë. Biblioteka jonë ka pasur 2500 volume, si dhe dokumente të rëndësishme historike nga koha e marrëdhënieve me Turqinë.

Pasi jetoi për 5 muaj në stallën e lopëve, Ollga u internua në Shijak. E braktisur nga te gjithë dhe e ndarë nga djali, Elmasi, i cili ndodhej në burg, danezja punonte në fushat misrit. Elmasi në vitin 1945 ishte kthyer nga Italia, ku kryente studimet e tij. Teksa ishte strehuar në një prej hoteleve të kryeqytetit e njihej me gjendjen në vend, ai u arrestua me tri akuza: tentativë për arratisje, agjitacion e propagandë dhe grup armiqësor. Për këto akuza u dënua me 11 vjet burg.”

Që pas vitit 1949 deri më 1958-n Ollga jetoi e internuar në fshatin Tresh të Lezhës. Pas daljes së të birit nga burgu, ajo jetoi disa kohë me të në fshat. Në dhjetor të po atij viti ajo vdiq në moshën 77 vjeçare dhe u varros në fshatin Zejmen të Lezhës. Nga punët e rënda edhe i biri i saj, Elmasi, vdiq në vitin 1977. Në atë kohë gruaja e tij ndodhej në hetuesi të Lezhës. Për këtë ngjarje Mufidi i ri kujton: “Babai punonte në fushë me tensionin të lartë. Plus sëmundjes, babain e tronditi edhe marrja në hetuesi e nënës time, e cila u akuzua dhe dënua me 5 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, se gjoja paska thënë që dikur ka pasur 30 dele”.

Nga martesa e djalit të Ollgës, Elmasit, lindën tre djem: Enveri, Kemali dhe Mufidi (i riu). Persekutimi vazhdoi deri te nipërit e Mufid bej Libohovës. Mufidi (i riu) tregon se edhe vetë, nga viti 1985 deri në vitin 1987 është ndaluar dy herë. “Në vitin 1990 arriti dhe pika kulminante. U arrestova nga sigurimi dhe për një muaj ndiqesha nga pas. Nuk e dija se ç’do të bëhej me mua, dëgjoja vetëm se e kishin me ne, me atë shtresë e cila për pushtetin e atëhershëm paraqiste probleme. Nuk e di se si kam shpëtuar nga ajo ‘valle e vdekjes’.

Me gruan e tij Myfidi (i riu) u martua ditë të premte, ndryshe nga zakoni, ndërsa të hënën, siç ai tregon, i hipi avionit për tu larguar përfundimisht nga Shqipëria për në Austri. U rikthye vetëm në vitin 2001, për të bërë të mundur tërheqjen e eshtrave të të afërmve nga Zejmeni i Lezhës. Ollga Libohova dhe djali i saj, Elmasi, sot prehen në kodrat e Tufinës, në Tiranë. /libohovapost/ KultPlus.com

Të ngjajshme