OMF apelon në Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down

21 Mars, 2019 - 2:00 pm

Me rastin e ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i bën thirrje të gjitha institucioneve në nivel qendror e lokal, për të shtuar vëmendjen dhe investimin, si dhe për të garantuar përkujdesje dhe të drejta të barabarta për të gjithë fëmijët me Sindromën Down.

Për fat të keq pjesa dërrmuese e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë, ende vijojnë të jetojnë në kushte të vështira dhe nuk i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre. Shërbimet sociale në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara janë shumë të kufizuara. Për më tepër, këto shërbime janë të kufizuara edhe sa i përket fushëveprimit të tyre në komuna dhe lokacione të caktuara. Natyra sporadike e këtyre shërbimeve minimizon përfshirjen e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe kufizon një plan afatgjatë rehabilitimi të nevojshëm që ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuara të përmbushin potencialin e tyre.

Qeveria e Kosovës dhe Komunat duhet të investojnë më shumë duke e bërë prioritet mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes ndarjes së buxhetit të nevojshëm për zbatimin e politikave, ligjeve dhe strategjive në sektorin e shëndetësisë, të mirëqenies sociale dhe atë arsimor. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë e të menjëhershëm për të krijuar dhe zhvilluar shërbime si dhe për të mundësuar qasje, në mënyrë që të gjithë fëmijëve t’u sigurohen shërbimet adekuate pa diskriminim, e drejta për arsim cilësor, shëndetësi dhe mirëqenie.

Mbrojtja dhe të drejtat e këtyre fëmijëve duhet të jenë prioritet si për qeverinë e politikëbërësit, ashtu edhe për gjithë shoqërinë sonë. Nisur nga kjo, KOMF apelon edhe një herë për angazhimin e gjithë institucioneve, vendimmarrësve dhe profesionistëve me mandat mbrojtjen e fëmijëve, për të përmirësuar situatën aktuale kritike, duke mbrojtur gjithmonë interesin më të lartë të fëmijëve. / KultPlus.com

Të ngjajshme