Parapagimi për RTK-në, refuzohet nga qytetarët e Kosovës

13 Prill, 2018 - 2:31 pm

Për shkak se Radio Televizioni i Kosovës nuk ka gjetur mënyrë përkatëse afatgjate të financimit përveç mjeteve që i ndanë Kuvendi i Kosovës, është shqyrtuar mundësia që mjetet e nevojshme të sigurohen përmes parapagimit mujor e që do të realizohej duke e ngarkuar edhe më shumë faturen e rrymës e cila, për shumë qytetarë është bërë e papërballushme aq më parë që qytetarët, për vite të tëra janë plaçkitur duke e paguar energjinë elektrike për serbët e veriut e që deri me tani, përkundër zotimeve, nuk janë kompensuar.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut përmes një komunikate për media thotë se sigurimi i buxhetit përmes parapagimit detyrues është zbatuar para luftës në Kosovë, në kohën kur RTP ka qenë transmetuesi i vetëm publik dhe nuk ka pasur mundësi të tjera për informim përveç RTP-së.

Qytetarët i kanë deklaruar KMDLNj-së se ngarkimi i tyre me parapagim për financim të RTK-së është i padrejtë dhe ngarkim i dyfishtë, indirekt dhe direkt. Mënyra indirekte është përmes Buxhetit të Kosovës (taksat e qytetarëve të Kosovës) dhe direkte, përmes parapagimit duke u fryrë faturat e rrymës, për nevoja të RTK-së.

“Qytetarët e Kosovës, në tregun informativ kanë mundësi të përcaktohen për alternativa tjera që sipas tyre ofrojnë programe më të mira dhe për çka paguajnë detyrime në baza mujore. Në pakon e ofertave të transmetuesve kabllovike, për të cilat paguhen shërbimet është mundësia që të përcillet edhe RTK, për ata që kanë interesim andaj nuk është e drejtë, është e palogjikshme, kundër të drejtave të konsumatorit, si njëra ndër të drejtat e njeriut që qytetarët të detyrohen ta paguajnë parapagimin për RTK-në, kundër vullnetit të tyre”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas KMDLNJ-së, eshtë krejtësisht normale dhe e drejtë që qytetarët të përcaktohen se cilën ofertë informative- mediale e përkrahin dhe për këtë e paguajnë parapagimin mujorë apo vjetor. Sipas tyre, nëse vendoset që RTK të sigurojë mjete financiare përmes detyrimit të paguajnë prapagimin si ngarkesë shtesë e faturave të rrymës, kjo do të paraqiste futje të dhunshme e duarve të RTK-së në xhepat e qytetarit, do të ishte e kundërligjshme, e dënueshme dhe lehtësisht ( sigurisht) do të rrëzohej në Gjykatën Kushtetuese.

KMDLNJ konstaton se RTK nuk menaxhohet si duhet, ka mbipopullim të madh të të punësuarve kryesisht në baza politike dhe nepotiste ku joprofesionalizmi e ka ngulfatë profesionalizmin andaj programet që emitohen në këtë medium publik nuk janë konkuruese me programet e televizoneve tjera .

Sipas Këshillit, RTK duhet të nxirret nga ndikimi 100% i politikës, duhet të krijojë hapësirë për profesionistë të fushave të ndryshme sikur edhe të ulë numrin e të punësuarve, në përputhje me nevojat reale për këtë medium publik. RTK duhet të jetë medium që do të sigurojë mjete financiare duke shitur prodhimet e saj ne tregun e mediave dhe jo të japë mjete të panevojshme për blerje te lajmeve, informatave apo filmave që u ka kaluar arsyeshmëria e përdorimit e të cilat aspak nuk e rrisin shikueshmërin apo që bëjnë përmirësime cilësore të programeve. Dhe që janë me çmime shumë të larta.

KMDLNj e kundërshton fuqishëm çdo përpjekje që parapagimi për RTK-në përmes faturave të rrymës të legalizohet sepse konsideron këtë formë si plaçkitje ordinere, kundërligjore dhe kundër të drejtave të njeriut.

“Komisioni paralamentar për media i Kuvendit të Kosovës nuk mund të jetë rregullator e as mbikëqyrës i punës së RTK-së sepse një pjesë e këtij Komisioni ka konflik të hapur interesi dhe raporte nepotiste”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNJ-së, RTK mund të arsytojë kërkesën për mjete shtesë buxhetore vetëm nëse e rrit cilësinë e programeve, nëse vendosë rregull në punësim, nëse profesionalizohet dhe përfundimisht nëse lirohet nga ndikimi politik. Cdo përpjekje që t’i zgjatet jeta një gjendjeje të tillë do të jetë zgjatje e agonisë informative dhe programore që pashmangshëm shpie te legalizimi i joprofesionalizmit, nepotizmit dhe korrupcionit, aktiv dhe pasiv./Insajderi.com

Të fundit

Të ngjajshme