Parku Kombëtar i Prespës, destinacioni perfekt për një fundjavë ekomiqësore

25 Shkurt, 2024 - 7:00 pm

Parku Kombëtar i Prespës, një thesar natyror në lindje të Shqipërisë, është kthyer vitet e fundit në një destinacion ekoturistik.

Ky park ofron një eksperiencë të pazakontë për turistët dhe udhëtarët që zgjedhin ta vizitojnë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park, ku të pasionuarit pas sporteve ujore e frekuentojnë atë në këto ditë shkurti.

Rama tha se me energjinë e sporteve natyrore Parku Kombëtar i Prespës është destinacioni perfekt për një fundjavë ekomiqësore.

Parku Kombëtar i Prespës është një nga parqet natyrorë më të mëdhenj të Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 27.500 ha. Ky park është një kombinim i veçantë i shkëmbinjve të lartë, fushave të gjelbra e ujërave të kaltër të liqeneve të Prespës. Ai strehon një gamë të gjerë të faunës dhe florës, duke shërbyer si shtëpi për mbi 1500 lloje bimësh, 261 lloje zogjsh, 21 lloje peshqish dhe shumë specie të tjera që e bëjnë këtë zonë një parajsë natyrore.

Ky park është një vend i rëndësishëm për ekoturizmin. Përveçse ofron një eksperiencë të jashtëzakonshme natyrore, ai gjithashtu ndihmon në konservimin e biodiversitetit të kësaj zone të rrallë.

Për ata që janë të interesuar të eksplorojnë bukuritë e Parkut Kombëtar të Prespës, mund të ndjekin udhëtime të organizuara dhe shëtitje për të zbuluar thellësitë e këtij rajoni.

Rreth liqenit, vizitorët kanë mundësinë të shijojnë pamjen magjepsëse të ujërave të pastër, si dhe të kënaqen me freskinë e natyrës që i rrethon.

Përveç bukurive natyrore, Parku Kombëtar i Prespës ka një ndikim të madh edhe në kulturën dhe historinë e Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme