“Partizani n’luftë po shkonte”, disa nga këngët që këndonin partizanët

1 Maj, 2018 - 4:00 pm

Këto janë disa nga këngët që kanë frymëzuar ata që kanë luftuar maleve për çlirimin e Shqipërisë. Këto këngë por edhe të tjera janë mbledhur në antologjinë e këngëve patriotike partizane, të përmbledhura nga muzikologu Vasil Tole.

Antologjia është një përmbledhje e 60 këngëve e botuar në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

ATO MAJA RRIPA-RRIPA
Ato maja rripa-rripa seç gjëmojnë.
Ndizet lufta për liri e derdhet gjak.
Janë trimat partizanë që luftojnë,
janë bijtë e Shqipërisë që marrin hak!
Sot po dridhet tirania anembanë!
Sot po digjet e po bëhet shkrumb e hi,
se u mbushën malet plot me partizanë,
se u ngrit sot gjithë rinia për liri!
Me përpara një flamur të kuq në dorë!
Me një torbë me fishekë e një dyfek!
Të cfilitur prej fashizmit të copëtuar
turren trimat dhe luftojnë shteg më shteg.

HAKMARRJE
Po ngrihet një zë nga fundi i varrit,
si dielli kur shkrep e hapet mbi dhe.
Hakmarrje! Hakmarrje, në grykë të barbarit!
Përpara, o Popull, mbi të si rrufe!
«Hakmarrje, Rini!» – dëshmori thërret,
se ra për liri mbi truallin e vet.
«Hakmarrje!» – thërrasin martirët nga varri,
«se gjaku i derdhur sot gjak po kërkon!»
Është popull i tërë me besë shqiptari,
me armë në dorë fashizmin lufton!

Partizani n’luftë po shkonte
Partizani n’luftë po shkonte
Ka marrë pushkën me një dorë.
Lamtumirë o nënë e babë
Lamtumirë o motr’e re.
Ditë për ditë nëna priste
Ndonjë lajm prej djalit saj.
Kur një ditë letra mbërriti
Drejt prej malit ka ardh fjalë:
Djali yt ka mbarue
Me fashistët ka luftu.
Nëna thoshte: Lumja unë,
M’u vra djali për liri./KultPlus.com

Të ngjajshme