Pas 5 orësh protestë, serbët nuk erdhën në Gjakovë – u arrestuan pesë persona

28 Gusht, 2018 - 8:34 pm

Paralajmërimi se pelegrinët serbë do të vijnë në Gjakovë këtë të martë ka nxjerrë në rrugë gjakovarët që nga ora 8:00 e mëngjesit.

Ata në duar mbanin pankarta me emra të të dyshuarve për krime të kryera në këtë komunë, raporton KTV.

Janë shfaqur shumë të mllefosur me institucionet e Kosovës dhe e quanin këtë si provokim që vazhdueshëm iu bëhet gjakovarëve.

Kësaj proteste iu bashkua edhe shoqata “Thirrjet e Nënave”.

Kryetarja Nesrete Kumnova, e cila tash e gati 20 vjet nuk di për fatin e djalit të saj të zhdukur, ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të presidentit Hashim Thaçi.

Por, gjatë fjalimit, gjendja e saj u përkeqësua, derisa pati nevojë për ndihmë mjekësore.

Që t’u bëhej e pamundur hyrja e pelegrinëve në kishë, gjakovarët vendosën që të gjitha rrugët t’i bllokonin me vetura, e ky gjest u përshëndet nga protestuesit.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, çka edhe e tensionoi situatën.

Merimanga, që mori urdhër nga policia për t’i hequr veturat nga rruga, nuk arriti ta kalonte turmën, por arriti të bënte zgjidhje alternative.

Megjithatë, edhe më tutje hasën në rezistencën e disa protestuesve që tentuan ta bllokonin makinën që transportonte vetura, duke hedhur edhe ngjyrë në drejtim të saj.

Kjo ka bërë që 5 protestues të përfundojnë në pranga.

Por, pavarësisht deklarimeve se serbët nuk do ta vizitonin Gjakovën, turma nuk iu bindej deklaratave të zyrtarëve policorë.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore iu përkeqësua edhe kësaj protestueseje, por ajo nuk pranoi ndihmë mjekësore.

Megjithatë, pas gati 5 orë qëndrimi aty, protestuesit u shpërndanë të qetë, por kjo vetëm pasi u hoq kordoni i policisë.

Qytetarët kanë paralajmëruar se do të veprojnë njëjtë sa herë që ka paralajmërime se serbët e dyshuar për krime do të tentojnë të kthehen në Gjakovë.

Të fundit

Të ngjajshme