Për emrin e së dashurës sakrifikoi Koloseumin

27 Qershor, 2023 - 1:31 pm

Ministri i Kulturës i Italisë bëri thirrje për identifikimin dhe dënimin e një burri, i cili u filmua duke gdhendur emrat e tij dhe të fejuarës së tij në Koloseum, sipas CNN.

Gennaro Sangiuliano shkroi të hënën në Twitter se ”unë e konsideroj shumë serioze, të padenjë dhe shenjë të një pafytyrësie të madhe që një turist prish një nga vendet më të famshme në botë, një trashëgimi historike si Koloseumi, për të gdhendur emrin e së fejuarës së tij”.

”Shpresoj se kushdo që e ka kryer këtë akt do të identifikohet dhe dënohet sipas ligjeve tona”, vazhdoi ai.

Tweet-i i ministrit përfshinte një imazh të paqartë të turistit si dhe një video që shfaqte atë duke përdorur çelësa për të gdhendur shkronja në një nga muret e amfiteatrit gati 2 000-vjeçar.

Mbishkrimi shkruante “Ivan+Haley 23″, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

”Incidenti i supozuar ndodhi të premten dhe policia u alarmua nga videot e shfaqura në median sociale”, raportoi ANSA.

”Nëse dënohet për një krim, ai mund të përballet me një gjobë prej të paktën 15 000 eurosh ose deri në pesë vjet burg”, tha ajo.

Një incident i ngjashëm ndodhi në vitin 2020, kur një turist irlandez u akuzua për vandalizimin e Koloseumit, pasi stafi i sigurisë e pa atë duke gdhendur inicialet e tij në strukturën e lashtë dhe e raportoi atë në polici./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme