Për një xhubletë, deri në nëntë muaj punë

4 Dhjetor, 2022 - 3:45 pm

File Kola ishte 8 vjeçe kur nisi të mësonte nga e ëma dhe tezja se si bëhej xhubleta, ndërsa si 10-vjeçare u ul të punonte në tezgjah.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, që vishej nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, por edhe në një pjesë të Malit të Zi dhe Kosovës.

Është kryesisht e zezë, e punuar në masë të madhe me pëlhurë leshi dhe me motive të qëndisura shumëngjyrëshe. Karakteristikë e saj është pjesa e poshtme në formë të kambanës.

Filja, sot 70 vjeçe, kujton ende në detaje gjithçka nga procesi i bërjes së një xhublete.

“E zgjidhnim leshin e deles ku ishte më i miri, e shprishnim, e lënurnim dhe e tirrnim. Mjetet që duheshin për ta përgatitur xhubletën, ishin: koshi i spikut, veku dhe vajanica. Tirku bëhej në vek [tezgjah] dhe kur përfundonte, e çonim në vajanicë, që ka qenë një vegël prej druri… Ishin si dy çekiçë prej druri që komandoheshin nga forca e ujit, godisnin tirkun dhe krejt copa ngjeshej”, kujton Filja për Radion Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) e mori nën mbrojtje xhubletën.

Kjo veshje, e vjetër 4 mijë vjet, dikur përdorej në jetën e përditshme.

Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit, si për arsye socio-politike, ashtu edhe për arsye ekonomike.

Filja kujton se në kohën e rinisë së saj nuk kishte bojëra për të ngjyrosur leshin e deles, por se ato bëheshin duke zier lëvozhga verri, gjethe frashri, si dhe një gur me ngjyrë blu që thotë se quhej karaboj.

Tetë xhubleta në pajë

“Unë jam martuar me xhubletë dhe kam pasur tetë xhubleta në pajë. Më e mira ishte ajo që vesha kur u bëra nuse dhe e përdorja kur kishim festa. Xhubleta pas së mirës ishte ajo që e vishja kur të afërmit na ftonin në dreka dhe darka, ndërsa të tjerat i kisha për t’i mbajtur përditë”, thotë Filja.

Me keqardhje, ajo tregon se sot i ruan vetëm dy prej tyre.

“Ishin kohë të vështira, varfëri… Të besohet që gjashtë xhubleta i kam prishur dhe me to kam bërë qilima, apo shtrojë, apo mbulojë? Më vjen të qaj kur e kujtoj. Më janë dhimbsur shumë kur i kam prishur se i kisha bërë me këto duar, por nuk kam pasur rrugë tjetër”, thotë Filja.

Ajo nuk jeton më në fshatin e saj të lindjes, Vermosh, ku edhe mësoi zanatin, por në Shkodër – qytet në pjesën veriore të Shqipërisë.

Për ta ruajtur këtë traditë, por edhe për të siguruar të ardhura për veten dhe bashkëshortin, Filja, në shtëpinë e saj, vazhdon të qepë xhubleta dhe tirq – veshje që dikur përdornin burrat malësorë.

Ajo thotë se numrin më të madh të porosive e ka nga emigrantët në Shtetet e Bashkuara.

“Ata i duan xhubletat dhe tirqit ashtu siç kanë qenë dikur, origjinale. Është një punë që merr shumë kohë. Një xhubletë e shes 3 mijë dollarë, por kjo shifër është qesharake, krahasuar me punën që bëj. Më duhet t’i blej stolitë, t’i mbledh nëpër zona të ndryshme, dikush shet një varëse, dikush hajmalinë, dikush postavën, apo brezin e hekurit që kanë mbajtur gratë dikur…”, rrëfen Filja.

Ajo thotë se më së shumti punon imitime të xhubletës, pasi kështu mund t’ia dalë për të siguruar më lehtë të ardhura. Për ta qepur atë në formën origjinale, thotë se i duhet mbështetje edhe nga institucionet.

Xhubleta për raste të ndryshme

Rita Kalaj Shkurtaj, kryetare e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, ka intervistuar rreth 150 gra të moshuara në zonën e Malësisë së Madhe dhe në Mal të Zi për teknikën e punës së bërjes së xhubletës.

Dhe, gjithçka që ka të bëjë me të, e ka dokumentuar në një botim.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se për të punuar një xhubletë dasme apo festash, janë dashur gjashtë deri në nëntë muaj kohë.

Xhubletat e përditshme, thotë ajo, kanë kërkuar më pak kohë, sepse nuk kanë pasur punime të veçanta dhe qëndisje.

“Xhubleta e ‘vdekjes’ [që ruhej dhe vishej kur varrosej një grua] gjithashtu ka kërkuar kohë, sepse ka pasur shumë punime në pjesën e përparme të saj”, thotë Kalaj Shkurtaj, studiuese dhe sipërmarrëse në ruajtjen dhe kultivimin e xhubletës. Një prej grave që ka intervistuar ajo, ka qenë edhe Age Vuktilaj, sot 94 vjeçe.

Ajo ka treguar në detaje dijen e saj dhe është ndër të rrallat që mban gjallë teknikat më të hershme të bërjes së xhubletës.

Kalaj Shkurtaj thotë se ajo dhe shumë gra të tjera të zonës së Kelmendit të Malësisë së Madhe, që dinë të bëjnë xhubleta, kanë emigruar në SHBA.

Shumë artizane e kanë rikthyer këtë traditë, por një pjesë e tyre nuk punojnë me material origjinal – ose riciklojnë xhubleta të vjetra, ose bëjnë imitime të tyre.

Rikthehet tradita e daljes së nuses me xhubletë

Në zonën e Kelmendit, pjesa veriore e Shqipërisë, shumë familje i ruajnë xhubletat e hershme.

Dilë Vaçaj, 69 vjeçe, nga fshati Vermosh, ruan ende xhubletën e nënës së saj, si dhe pjesët që e shoqërojnë: bohçja e kuqe, pështjellaku i zi, kraholi, gryksa, kapica me ruba, çorapet e qëndisura e të tjera.

“Është e vështirë ta mbash dhe ta veshësh. Xhubleta duhet palosur me kujdes që konet e saj të rrinë në pozicionin e duhur. Jo kushdo di ta ruajë dhe ta veshë. Jam shumë e gëzuar që po rritet interesi për këtë veshje të mrekullueshme. Sivjet, një vajzë në Kelmend erdhi dhe kërkoi xhubletë që të dilte nuse me këtë veshje”, thotë Dilja.

“Ta shohësh një nuse nga afër me xhubletë, ishte shumë bukur”, shprehet ajo.
Një prej stolive që ruan, është edhe varësja e mashave.

“Xhubleta ka pasur shumë qëndisje dhe shumë stoli. Peshonte rreth 14-15 kilogramë si veshje. Një prej stolive ishte edhe varësja e mashave, që gruaja malësore e mbante varur në qafë. Në fund të varëses është një si gërshërë e vogël. Me të, gruaja merrte një gacë nga oxhaku dhe ndizte çibukët e burrave në odë”, rrëfen Dilja.

Ajo thotë se një tjetër pjesë e stolive ka qenë edhe hajmalia, ku nuses i hidheshin napolona ari gjatë kërcimit.

Roli i institucioneve

Luljeta Dano është një prej anëtarëve të ekipit që dorëzoi dosjen e xhubletës dhe të bërjes së saj në UNESCO.

Pranimi në këtë organizatë, thotë ajo, nënkupton “obligim për realizimin e disa detyrave nga institucionet qendrore dhe lokale”.

“Duhet të ndërtojnë politika se si të rijetëzohet xhubleta në jetën kulturore, në politikat e turizmit. Më pas vjen përfitimi prej këtij vendimi. Do të prodhohen më shumë xhubleta me teknikën origjinale, do ta shohim këtë kryekostum të etnografisë shqiptare më të pranishëm në festa familjare, në tregun e turizmit etj.”, thotë Dano, koleksioniste dhe drejtore e Qendrës Antropologjike “Xhubleta”.

Më 29 nëntor, kur ka bërë publik lajmin për pranimin e xhubletës në UNESCO, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka thënë se xhubleta nuk do të mbetet një relikt i së shkuarës, por se do ta ketë mbështetjen e institucioneve.

Në ueb-faqen e UNESCO-s shkruan se xhubleta përfaqëson një trashëgimi të kulturës nga ilirët te shqiptarët. Kështu, xhubleta është veshja më e hershme në Shqipëri dhe Ballkan. / KultPlus.com

Një xhubletë e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Kjo veshje shqiptare, e vjetër 4 mijë vjet, tashmë është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Të fundit

Të ngjajshme