Përfundon faza e parë e restaurimit të banesës së piktorit Sali Shijakut

18 Janar, 2021 - 4:13 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margaritim inspektoi sot përfundimin e fazës së parë të punimeve për restaurimin e banesës së piktorit të njohur Sali Shijaku , e cila kishte pësuar dëmtime për shkak të tërmetit të vitit që shkoi.

Gjatë inspektimit, ministrja Margariti u shpreh se “puna, por edhe dëshira për të shijuar veprat e piktorit na ka çuar shpesh në shtëpinë e Sali Shijakut këto kohë”.

“Falë përkushtimit të specialistëve pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës, por edhe bashkëpunimit me banorët e shtëpisë, u arrit realizimi i një sërë punimesh shumë të rëndësishme për jetëgjatësinë e monumentit, që nga vendosja e trarëve, ndërrimi i dyshemesë, i grilave, për të nisur një fazë të dytë, atë të restaurimit të çatisë”, – theksoi Margariti.

Monumenti kulturor, banesa e Shijakasve është ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX dhe paraqet fazën më të zhvilluar të banesës tiranase së “shtëpisë së zjarrit”.

E ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate.

Dhoma kryesore e saj është shndërruar në një galeri arti, ku janë ekspozuar veprat e piktorit Sali Shijaku.Kjo banesë është një nga pikat më të vizituara në Tiranë./ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme