Përfundon restaurimi i Urës së Abdyl Agës në Krujë

23 Dhjetor, 2020 - 3:28 pm

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Tiranë ka përfunduar ditët e fundit projektin e restaurimit dhe mirëmbajtjes së  “Urës së Abdyl Agës” në Krujë.

Sipas DRTK Tiranë, projekti i hartuar nga specialistët e DRTK-Tiranë, shqyrtuar në Këshillin Teknik dhe i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale konsistoi në çmontimin e  murit të gurit në zonat e dëmtuara, pastrimin mekanik të qemerit të gurit nga klasifikimet dhe përgatitjen për fugatim të sipërfaqes.

Po ashtu pjesë e ndërhyrjes ishte edhe restaurimi dhe plotësimi i murit të gurit tek të dy shpatullat e urës, plotësimi i muraturës së hequr nga ndërhyrjet klandestine, si dhe konsolidimi strukturor i muraturës prej guri, fugatimi në qemere guri dhe restaurimi i kalldrëmit.

“Ura e Abdyl Agës” ndodhet në Grykën e Shkallës së Zezës në Krujë ndërmjet fshatrave Barkanesh e Cudhi të malësisë së Krujës. Sot ajo lidh fshatrat e Ranxës (Barkanesh, Këlcunjë, Buronjë, Kukaj, Mukaj, Rradhesh, Herraj) me malësinë e Krujës (Cudhi Bruz, Ranxë etj). Nën të kalon lumi i Zezës, i cili pasi kalon Fushë Krujën i drejtohet ultësirës bregdetare.

Në mesjetë ura e Abdyl Agës i shërbente rrugës së karvaneve që lidhte Shkodër-Lezhën me Dibrën, nëpërmjet malësisë së Tiranës dhe asaj të Matit.

Sipas burimeve të vendit ndërtimi i urës rezulton rreth viteve 1810-1820. Në ndërtimin e urës është përdorur gurë gëlqeror i malit pranë. Ngjitur me urën ruhen gjurmë kalldrëmesh mesjetarë të kohëve të ndryshme./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme