Përurohet shtatorja e Shën Nënë Terezës në Poreç të Kroacisë

23 Nëntor, 2017 - 6:20 pm

Një shtatore e Shën Nënë Terezës u vendos sot në qytetin e Kroacisë, Poreç.

“Nga sot, lidhja e shqiptarëve me Kroacinë do të jetë edhe më e fortë, edhe më shpirtërore, sepse Poreçi, ky qytet i bukur, do të ketë në gjirin e vet, nje simbol të paqes, humanizmit, dashurisë, lidhjes dhe miqësisë”, u shpreh Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në përurimin e shtatores së Shën Terezës në Poreç të Kroacisë.

Presidenti Meta, së bashku me Kardinalin Ernest Simonin (Troshani), me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesič, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj dhe shumë personalitete të tjera nga të gjitha trevat shqiptare, morën pjesë në ceremoninë e përurimit e të bekimit të shtatores së Shenjtores dhe bamirëses shqiptare, Nënë Tereza, me autor Anto Jurkič.

Me këtë rast solemn u mbajt edhe mesha e shenjtë në Bazilikën Eufrazjane.

“Le të jetë vepra e Shën Nënë Terezës udhërrëfyes për të gjithë ne!”, tha Meta, duke shtuar se, “Nënë Tereza, u bë nënë e njerëzve të pashpresë, e nevojtarëve që ishin më së shumti në nevojë, e jetimëve dhe e të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dashuri dhe ngrohtësi njerëzore. Ky humanizëm dhe kjo devotshmëri e paparë e Nënë Terezës, bëri për vete personalitetet më të rëndësishme botërore”, tha Meta.

“Nëna Tereza është simbol i vlerave të larta humane, i bujarisë, mëshirës, shpirtmadhësisë, flijimit për të tjerët, bashkëvuajtjes dhe vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal. Vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezës janë bashkim i vlerave më të mira të civilizimit shqiptar, dhe shpjeguesi më i saktë i frymës tolerante dhe kulturës së unitetit tonë kombëtar, edhe pse popull me përkatësi të ndryshme besimesh”, u shpreh Kreu i Shtetit, Ilir Meta. KultPlus.com

Të ngjajshme