Peshkopi Teodosije e dënon arrestimin e Marko Gjuriqit

27 Mars, 2018 - 8:35 pm

Arrestimi i Marko Gjuriqit dje në Prishtinë po cilësohet si një veprim absurd e banal edhe nga Peshkopi i Rashkës në Prizren – Teodosije.

Teodosije, i njohur për deklaratat e tij të forta kundër shqiptarëve edhe pse një njeri që proklamon dashuri për trashëgiminë kulturore e shpirtërore të popujve të botës, kësaj radhe ka thënë se me këto arrestime po rrezikohet i tërë rajoni.

Peshkopi i Rashkës dhe i Kishës Ortodokse Serbe në Prizren, Teodosije, kërkon urgjentisht nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe KFOR-i që të ndërmjetësojnë në lirimin e Marko Gjuriqit, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës e cila mund të ketë pasoja serioze. Kjo ndodhi para se Gjuriq të lirohej.

“Dioqeza e Rashkës dhe i gjithë populli serb në Kosovë e Metohi me shqetësim morën lajmin për aksionin brutal të njësive speciale policore të Kosovës “ROSU” në Mitrovicën e Veriut, aksion ky gjatë të cilit pjesëmarrësit ishin sulmuar fizikisht nga policia dhe disa njerëz lënduan Marko Gjuriqin, kreun e Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë dhe Metohi, të cilin e arrestuan. Ky është një veprim pa precedent i policisë që nga viti 1999” ka deklaruar në mes rreshtash në një komunikatë të lëshuar Peshkopi Teodosije.

“Një reagim i tillë i policisë dhe njësisë speciale “ROSU” në veriun e Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme midis Beogradit dhe Prishtinës, kërcënon direkt vazhdimin e dialogut dhe sigurinë e qytetarëve. Arrestimi i Gjuriqit është një skandal dhe provokim i madh për të gjithë serbët që jetojnë në këtë rajon” ka shkruar Teodosije.

Më vonë, Gjuriq u lirua ndërsa sot ‘spektakli’ i tillë politik po vazhdon me deklarata nga vetë Gjuriq dhe nga palët tjera, duke dhënë kështu detaje tjera rreth këtij arrestimi që ndodhi gjatë ditës së hënë të 26 marsit. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme