Pianoja e vjedhur në Parma iu dorëzohet autoriteteve italiane, Manja: Pjesë e trashëgimisë kulturore

26 Korrik, 2022 - 4:00 pm

Pianoja antike e vjedhur në vitin 2015 në Konservatorin e Parmës në Itali, e cila u soll në vendin tonë për t’u shitur, iu dorëzua sot autoriteteve italiane.

Bëhet fjalë për një instrument ‘Clavikorda’ e shekullit të XVIII, pjesë e trashëgimisë italiane, e cila u gjet në një dyqan instrumentesh muzikore në Shqipëri.

Dorëzimi i saj është bërë nga Ministria e Drejtësisë, ministria e Kulturës për komandatin e Karabinierëve për trashëgiminë kulturore në një ceremoni të posaçme në ambientet e ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se dorëzimi i pianos së shekullit të XVIII e cila ishte vjedhur në Itali është një shenjë e bashkëpunimit serioz me një vend mik që është Italia.

“Është një takim që shpreh një bashkëpunim të shkëlqyer që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Në fakt, objekti që do t’u dorëzojmë sot autoriteteve italiane do ta merret posaçërisht nga gjeneral Rikardi dhe stafi i tij. Është një objekt i trashëgimisë kulturore italiane me vlera të padiskutueshme historike, është një clavikordë që i takon shekullit të XVIII, saktësisht e prodhuar në vitin 1880, e cila është vjedhur në Parma në vitin 2015. Dhe falë një bashkëpunimi të autoriteteve gjyqësore të Parmës dhe autoriteteve shqiptare, konkretisht Prokurorisë së Tiranës, në tetor të viti 2021 është bërë e mundur gjetja e kësaj clavikorde. Instrumentin e ka dorëzuar në tetor të vitit 2021 një qytetar nga Vora dhe në fakt kjo clavikordë mbante vlera të jashtëzakonshme historike. I përket një koleksioni në Pama dhe që në tetor të vitit 2021 në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është ruajtur dhe administruar në Ministrinë e Drejtësisë. E para si provë materiale e cila do iu dërgohet autoriteteve italiane por dhe si një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore italiane”, tha Manja.

Manja u shpreh i lumtur që kjo vegël muzikore do të riatdhesohet në Itali dhe e konsideroi dorëzimin si një shenjë të bashkëpunimit serioz ndërmjet autoriteteve gjyqësore.

“Natyrisht, ky nuk është bashkëpunimi i parë por ne sot kemi rënë dakord që edhe në fushën e trashëgimisë kulturore bashkë me kolegen Margariti dhe ambasadën e Italisë në Shqipëri, ne ta shtrijmë këtë bashkëpunim në të ardhmen, pse jo për të bërë të mundur riatdhesimin reciprok të të gjitha veprave të trashëgimisë kulturore që personat në konflikt me ligjin të ndëshkohen kudo që ata janë. Ndërsa këto vepra të shkojnë aty ku ishin”, tha ministri Manja. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme