Piktura murale e banesës 300 vjeçare Skënduli në Gjirokastër do të restaurohet

19 Gusht, 2018 - 3:50 pm

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurimin e pikturës murale “Skena e Gjuetisë” në shtëpinë Skënduli, banesë 300-vjeçare ndër më të spikaturat në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në pikturën murale, që ndodhet në shtëpinë “Monument kulture”, të kategorisë së parë në lagjen Palorto.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Qytet i Gjirokastrës i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nga viti 2005, ishte një qendër e rëndësishme administrative e populluar nga pronarë tokash, që ndërtonin shtëpi-kulla madhështore të fortifikuara. Qyteti që ofron mbi 500 ndërtesa historike, ka një sërë banesash karakteristike.

Mes këtyre banesave ndodhet edhe shtëpia Skënduli, e ndërtuar rreth vitit 1700, që është një ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët. Ajo ka 44 dyer, 64 dritare, 9 oxhakë, të cilët në atë kohë përcaktonin dhe pozitën shoqërore e ekonomike të fisit. Ka gjithsej 19 ambiente, ka dhe disa dhoma të bukura./ KultPlus.com

Të ngjajshme