Plaku vejan e rejat e pakujdesshme

2 Tetor, 2018 - 8:55 am

Ni babë i kish pase tre djem. Të tret i martoi e jau muer tri nuse për t’pamë t’synit kush mos me i pasë. Nuk vanoi hiç shum e plakut i diq e shoqja. Met vejan. U munue me u martue po s’mujti. Tanë i thojshin: „I kie rejat, t’bajnë hyzmet e t’kqyrin”, e u munojshin me ja hjekë mërzinë. Edhe djemt i thojshin qashtu.
Rejat kurr s’e kthejshin kryet për plakun. Bile as me ja la kmishat s’ja lajshin. Djemt u habitshin n’punë e kujtojshin qi gratë p’e kqyrin babën, si âsht zakoni.
Baba ja nisi m’u ankue pak te djemt. Thojke:
— Bir bre, s’po m’kqyrin rejat hiç.
Djemve u vike ranë kjo punë, por, kur i vetshin gratë e tyne, ato u thojshin:
— Valla veç âsht rrokatë baba se na nryshe s’dimë qysh m’e kqyrë se boll po munohmi përditë me tâ.
E pa baba qi djemt nuk po donë me marrë vesh qi s’p’e kqyrin gratë. Mendoi me qitë ni tërtip qysh me jau mushë mênen t’bijve. Dit pej ditsh e qiti fjalën se ja kishin vjedhë kuletën me pare rejat e veta. U kallxoi djemve:
— Ftyra jonë na u muer se gratë e juve ma vodhen kuletën me pare.
— Shka po thue, babë, i thanë djemt. A perimë e kie?
— Po, bre bir, vallahi, bash ktu n’odë ma kanë vjedhë.
— Kur?
— Sot.
Djemt u mërziten edhe t’tret ngajten te shpija e me brimë po donë m’i nxjerrë kuletën e babës prej grave.
— Qysh, bre, zoti u marroftë! — u thanë djemt grave t’veta. — Shpejt me kallxue cilla ja keni vjedhë paret babës n’odë, se na kishi marrë ftyrën.
Reja ma e madhe tha:
— Vallahi nashta i kanë hupë, po une që dy javë s’jam kanë n’odë pej punve t’mija e s’e kam pa babën.
E dyta ja nisi e po ban be:
— Vallahi bilahi qe ni muej dit s’jam kanë n’odë e s’e kam pa babën!
Reja e tretë ja nisi e po ban be edhe ajo:
— Pasha t’ritë tem e m’u qorrofshin sytë n’kofsha kanë n’odë e n’e paça pá babën që dy muej dit.
Djemt i muerën gratë për krahi e të gjith shkuen n’odë e i thanë babës:
— Babë, që t’i prumë gratë e ngoi shka po thonë.
Gratë ja nisën e po bajnë be e i thanë qato fjalë qi jau kishin thanë burrave t’tyne.
Plaku ja nisi e po keshë.
— Ungjuni djemt edhe rejat e mija.
E nxor kuletën me pare e jau kallxoi.
— Që ku e kam kuletën. Kërkush s’ma ka vjedhë, po dashta me jau mushë mênen, more djem, qi s’janë kah m’kqyrin rejat. E që tash, kto vetë e banë ispat me gojë t’vet qi s’kan ardhë as me m’pa me sy n’odë, njana që dy javë, tjetra që ni muej edhe e vogla që dy muej. E baba nuk kqyret kshtu. Për qetà deshta me jau mushë mênen.
Mas asaj dite rejat filluen me e kqyrë plakun si duhet.

(marrë nga Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”
tregu nga: Beqir Bajraktari, lindur më 1921 në Kishnarekë. Mësues, ka kryer shkollën normale. )

Të ngjajshme