Poeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Murad Toptani

14 Korrik, 2018 - 2:30 pm

Murad bej Toptani ishte atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor shqiptar.

Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht dhe italisht.

“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924.

Kjo s’ka ndodhur as gati një shekull më vonë. Një bust të Skënderbeut e ka punuar në Napoli më 1898, një në Tiranë në 1917. Më vonë, bustin e Tiranës e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale Odhise Paskali.

Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore artistikisht, dhe ndër të paktat vepra të tij – figurative apo letrare, që nuk ishte politike.

Karikatura e Murad Toptanit, e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është një krijimet e tij më të mprehta. Dy kalorës, me vështrimin përpara, shkojnë drejt fatalitetit shaluar mbi kuaj, kapistallët e të cilëve i tërheq një skelet njeriu nga thellësia e greminës.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet një fletë broshure, fleta 14, e cila lartëson veprën patriotike të Murad bej Toptanit.

Dokumenti është në gjuhën osmane, në shqip gjendet jo përkthimi, për një shpjegim për përmbajtjen: “Fleta ka një karakter poezije në prozë, ku naltëson veprat patriotike të Murad beut, tue i thanë se ti edhe me të vra me tradhti e me tortura, nuk do të vdesësh, ti me idealin e liris në zemër e me ndjenjat e sakrificës ashtu dhe me vullnetin patriotik do të mbetesh i pavdekshëm e të tjera”.

Përcaktimi i këtij teksti anonim duket se është i saktë, veprimtaria patriotike, më shumë se gjithçka tjetër, ka mundësi të rezultojë më jetëgjati në histori. Përpjekjet për çështjen e kombit shqiptar atij i kushtuan vuajtje e dhimbje, iu desh të kalonte prova të shumta e të bënte sakrifica me çmim të lartë, por, në fund, firma në dokumentin e pavarësisë, në 28 nëntor 1912, i hapi portat e përjetësisë.

“Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë. Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë” Murat Toptani – veprimtar i Rilindjes Kombëtare./KultPlus.com

Të ngjajshme