Pompei vazhdon t’i nxjerrë fshehtësitë e veta

15 Prill, 2019 - 4:23 pm

Gati dy mijë vjet pasi u shkatërrua nga erupsioni i Vezuvit, Pompei antik ende vazhdon t’i nxjerrë sekretet e veta të varrosura.

Freska fantastike, mozaikë të ruajtur mirë, mbishkrimet mbresëlënëse janë vetëm disa prej gjetjeve në kuadër të hulumtimit më të madh për këtë lokalitet, që kanë nisur qysh prej viteve ‘50 të shekullit të kaluar.

Pompei tash e sa kohë vlon prej punëtorëve fizikë, arkeologëve e konservuesve.

Ky shpërthim aktivitetesh vjen në kuadër të projektit të madh për ruajtjen e Pompeit që ka nisur qysh prej vitit 2012, pas disa shembjeve të objekteve që ndodhën si pasojë e lënies pas dore të tyre, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”. Bashkimi Evropian dhe Italia asokohe morën vendim që të investojnë 105 milionë euro për ta ndërprerë shkatërrimin e njërit prej lokaliteteve arkeologjike më madhështore në botë.

“Rreziku prej shembjeve me dëm të madh, tashmë i ka takon së kaluarës. Pompei tash është goxha i sigurt”, ka thënë arkeologu Francesco Muscolino.

Punimet e zgjeruara konservuese ua kanë mundësuar ekspertëve të zbulojnë pjesë të Pompeit, që deri më tash kanë të mbuluara përfshirë dy shtëpi të mëdha, rrugica dhe një kafehane antike.

Pompei u mbulua nga hiri vullkanik në erupsionin e Vezuvit në vitin 79.

Në qytet humbën jetën mijëra njerëz, që nuk e dinin se po jetojnë rrëzë njërin prej vullkaneve më të mëdha evropianë. Kujtimi për këtë katastrofë u zbeh me kohë dhe tek në vitin 1748 u kryen gërmimet e para që mund të cilësoheshin të rëndësishme, e ato më përmbajtjesore, tek pas një shekulli.

Por deri në fund të shekullit XX, neglizhenca, mosfinancimi dhe përmbytjet e shpeshta e bënë të veten.

Në vitin 2010, turistët kishin qasje vetëm në 15 për qind të lokalitetit që ishte e gërmuar, dhe për vizita ishin të hapura hiç më shumë se 10 shtëpi për dallim prej 64 sosh që ishin të qasshme para 50 vjetësh.

Sot, turistët mund të vizitojnë 70 për qind të qytetit të gërmuar dhe mbi 30 ndërtesa krejtësisht të rinovuara. Kjo ka ndikuar me rritjen e numrit të vizitorëve. Vitin e kaluar Pompein e vizituan 3.5 milionë vizitorë, trefish më shumë sesa para një dekade.

Në mesin e freskave të zbuluara së fundmi, e një rëndësie të veçantë është edhe ajo që portretizon Narcisin tek vështron reflektimin e vet në liqe, dhe atë që paraqet zotin antik grek Zeus që shndërrohet në mjellmë për ta joshur mbretëreshën spartane, Ledën.

“Ato ishin gjetje mbresëlënëse, sepse freskat janë fort të bukura dhe në gjendje të shkëlqyeshme”, ka thënë konservuesja Stefania Giudice.

Por mbase gjetja me e rëndësishme, në shikim të parë, dukej si diçka krejt tjetër. Bëhej fjalë për mbishkrim të shkurtër me thëngjill, në murin e një shtëpie ku u gjetën gjashtë trupa. Mbishkrimi mbante datën 17 tetor, dhe pasi arkeologët besojnë se është shkruar pak kohë para erupsionit, kjo do të thotë se katastrofa ka ngjarë dy muaj më vonë sesa koha për të cilën mendoj para kësaj gjetjeje.

Një e treta e Pompeit, qytetit që shtrihej në më shumë se 66 hektarë, nuk është gërmuar asnjëherë deri më tani. Tash për tash, nuk ka as plane për gërmime të reja pasi në fokus është konservimi.

“Lokalitetet arkeologjike janë si fëmijët. Duhet të kujdeseni për to. Nuk mund ta lini pas dore atë që është gërmuar e të nisni projekt tjetër”, ka thënë Giudice./ KultPlus.com

Të ngjajshme