Prej 20 vjetësh, me orë të tëra Mehreme Halili e shikon vendin ku u vra djali i saj

13 Janar, 2019 - 11:00 am

Prej 20 vjetësh, me orë të tëra Mehreme Halili, tani 85 vjeçe qëndron pranë dritares së shtëpisë. Ajo e shikon vendin ku u vra djali i saj, Skënderi, i cili ishte 30 vjeç.

Ai ishte ndër të parët që u vra nga forcat policore në Reçak. Momenti më i vështirë në jetën e Mehremes është kur burri i saj i tregoi se djalin ia kishin vrarë.  

Së bashku me trupat e të vrarëve të tjerë edhe trupi i djalit të Mehremes, u mor nga forcat serbe dhe  u mbajt për më shumë se tri javë në morgun e Prishtinës. Në ditën e varrimit, Mehremja nuk u lejua ta shoh trupin e djalit. të saj.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. / KultPlus.com

Të ngjajshme