Prezantohen projektet ideore për Sallën Koncertale në Prishtinë, fituesi shpallet pas një jave

12 Mars, 2021 - 3:09 pm

Në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës sot u mbajt konferencë për media ku u prezantuan projektet ideore të cilat i janë përgjigjur konkursit për projektimin e Sallës Koncertale, shkruan KultPlus.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në fillim të kësaj konference ka potencuar që kjo është ndër të paktat herë ku në vend të privatizimit, një institucion publik ka blerë pronë dhe ka rritë pasurinë.

Tutje ai ka folur për diskutimet e shumta që janë ngritur për Sallën Koncertale, por sipas tij tashmë po bëhet më e mira e mundshme.

“Kemi pasur diskutime të shumta me arkitektë dhe në fund kemi vendosur detyrën projektuese, ideja ka qenë që të ruhet sa më shumë identiteti dhe memoria, por në anën tjetër sikurse edhe shumë qytete të tjera, posaçërisht në Evropë, ku investohet në ndërtesa, ruhet trashëgimia kulturore por bëhet intervenimi në atë  mënyrë që të kemi edhe memorien por edhe diçka që mund të përdoret për kohët moderne”, potencoi Ahmeti duke treguar për insistimin e tyre që t’i ruajnë vlerat e kësaj ndërtese.

“Ideja jonë është të vendoset për më të mirën dhe ta ndërtojmë po të njëjtën. Besoj që në momentin që vendos komisioni, ne do të shohim mundësinë buxhetore dhe ta vendosim për tender menjëherë në mënyrë që të fillojë ndërtimi menjëherë”, thotë Ahmeti.

Tutje gjatë konferencës u tregua që juria nuk do të jetë e Komunës së Prishtinës duke e mbrojtur veten nga ndikimet politike. Gjithashtu u tregua që pjesë e jurisë do të jenë edhe tre profesorë ndërkombëtarë, dy nga shoqata e arkitektëve dhe një anëtar të Komunës dhe  një nga Instituti për mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.

Ahmeti para gazetarëve sot prezantoi tre propozimet që ju kanë ardhur me kohë dhe një propozim nga jashtë por i cili është në shqyrtim pasi nuk dihet nëse ka ardhur me kohë.

Përmes dy videove dhe maketave u prezantuan projektet ideore por pa u ditur se kush është kompania, sepse projektet janë dërguar me shifër.

“Mendoj që janë zgjidhje fenomenale”, u shpreh Ahmeti duke potencuar që nuk ka asnjë ndikim në këtë konkurs dhe përzgjedhjen e projektit.

Më pas nëpërmjet një ekrani u prezantuan projektet në fjalë.

“Garantojmë që përzgjedhja do të bëhet më e mira”, tha Ahmeti.

“Kam pritur numër më të madh të propozimeve, por jam shumë i kënaqur me këto që kanë ardhur. Besoj që javën e ardhshme do të bëhet përzgjedhja dhe do të ju njoftojmë për procedurat në vazhdim”, u shpreh Ahmeti.

Këto materiale do të publikohen edhe në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, deri më sot nuk ka fitues dhe kjo gjë është në diskutim, e fituesi do të shpaloset pas një jave. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme