Pritja e gjatë

3 Nëntor, 2018 - 6:30 pm

Valerie Plesch

Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës presin me vuajtje dhe paqartësi për pensionet e tyre të vonuara.

Pranvera pret ankthshëm çdo ditë për një përgjigje, një po apo jo të thjeshtë. E frustruar dhe gjithnjë më e pashpresë, ajo shpesh i pyet miket për të parë se a kanë dëgjuar diçka të re.

Asgjë të re. Pritja duket e pafund.

“Kemi duruar 20 vjet. Këta pesë, gjashtë muajt e fundit janë bërë të papërballueshëm”, thotë Pranvera duke pirë kafe dhe tymosur cigare në një kafene në pjesën qendrore të Kosovës më herët këtë muaj. Janë bërë më se shtatë muaj që nuk ka dëgjuar për gjendjen e aplikacionit të saj për pensionin e ri të qeverisë që u ofrohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Kur ka dëgjuar për herë të parë për pensionin vjet, ajo tha se i ka dhënë shpresë, “shumë shpresë”.

Por tani, shpresat po fiken.

“Në mëngjes ndihem shpresëplotë se ndoshta do ta marr pensionin, por në mbrëmje, të gjitha shpresat humbin. Askush nuk na thërret. Asnjë informatë, apo diçka tjetër. Kam humbur shpresën,” Pranvera ka thënë për BIRN së voni. “Nuk do të kisha aplikuar [po ta dija] çfarë do të kishin bërë deri tash, është më mirë të mos aplikosh”.

Pranvera është përdhunuar nga dhjetë oficerë të policisë serbe kur ka qenë vetëm 16 vjeçe në një ditë pranvere të vitit 1999. Është shtyrë prej familjes të martohet pak kohë më pas me një burrë shumë më të vjetër dhe është zhvendosur në një fshat. Prej atëherë, jeta e saj ka qenë e mbushur me probleme shëndetësore dhe periudha të gjata papunësie.

Ishte një kohë e shkurtër me shpresë për të mbijetuarat më 4 shkurt të këtij viti, një pension i ri nga qeveria u bë i mundshëm për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Një pension i qeverisë prej 230 eurosh ― shumë e cila është e përafërt me rrogën e një gruaje në Kosovë sipas një raporti të Amnesty International ― u prit mirë nga të mbijetuarat sikur Pranvera që jetojnë në varfëri dhe izolim të rëndë. Për shumë – në mos të gjitha – aplikimi për pensionin do të thoshte sigurimi detajeve të krimit në një proces të detajuar të aplikimit, gjë që kërkon grumbuj dokumentesh dhe dëshmi të përdhunimit, përfshirë të dhënat mjekësore, shënimet e terapisë, dhe deklaratat e dëshmitarëve.


Pranvera qëndron afër shtëpisë së saj ku ajo u rrit në rajonin e Drenicës. Ajo ishte 16 vjeçe kur u dhunua nga policët serbë. Tani ajo është e papunë dhe po pret në ankth lajmin për statusin e aplikacionit të saj për pension, për të cilin aplikoi në mars të këtij viti. Foto: Valerie Plesch

Është proces i mundimshëm dhe rraskapitës me të cilin mbijetuarat duhet të përballen nëse duan të njihen ligjërisht si viktima të luftës, dhe disa OJQ që punojnë me të mbijetuarat e barazojnë procesin me “viktimizim të dyfishtë”, sepse u duhet t’i ripërjetojnë në detaje kujtimet e rënda pa ndonjë garanci se do të kualifikohen.

“Dua vetëm një përgjigje. Po, u bë, apo jo, sepse kemi filluar të ndihemi më të shqetësuara së fundi”, thotë Pranvera për pritjen pa lajme. “Jetoj me shpresën se do ta marr pensionin. Ndihem e shqetësuar, e tmerruar dhe e stresuar. Kemi folur, kemi dhënë dëshmi se si ka ndodhur krimi, dhe nëse në fund dështon do të ishte katastrofale”.

Rreth 20,000 gra dhe burra janë përdhunuar gjatë luftës nga policët serbë dhe ushtria jugosllave. Para këtij viti, vetëm veteranët dhe viktimat civile kanë qenë pranueshëm për përfitime nga qeveria meqenëse të mbijetuarit e përdhunimit gjatë luftës nuk janë njohur si kategori nga qeveria.

Të mbijetuarat e përdhunimit gjatë luftës frikohen nga reagimi familjar nëse marrin vesh për përdhunimin, dhe shpeshherë aplikojnë fshehurazi përmes njërës nga katër OJQ-të e autorizuara që punojnë me të mbijetuarat, apo njërën nga shtatë zyrat komunale të Departamentit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidët e Luftës dhe Viktimat Civile të Luftës të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Kur kam dëgjuar për herë të parë për pensionin, ishte lumturi e pafund për mu, por po shihet se çfarë po ndodh tani”, thotë Pranvera. Ajo ka aplikuar në fund të marsit, dhe përkundër garancive nga OJQ-të që kanë parashtruar aplikacionin në emër të saj se ajo është në listën e radhës për të marrë lajm, ajo prapë nuk ka dëgjuar asgjë.

Pranvera është e vetëdijshme çfarë ka ndodhur me veteranët e luftës gjatë dy viteve të fundit kur një numër i madh i “veteranëve të rremë” gjoja kanë marrë pensione, por nuk beson fare se kjo mund të ndodhë me të mbijetuarat e përdhunimit gjatë luftës.

Ajo s’është e vetme.


Mimoza shikon nga dritarja vendin ku ajo u mor nga serbët 20 vjet më parë. Ajo është duke pritur që nga prilli lajmin për aplikimin e saj për pension.

Mimoza është një tjetër e mbijetuar që ka pritur për më shumë se gjashtë muaj për një përgjigje prej paraqitjes së aplikacionit në prill. Gruaja 30 vjeçe ka bërë pakt me burrin e saj para 20 vjetësh për të mos i treguar askujt për përdhunimin.

“Ndihem shumë keq duke pritur. Është bërë shumë më gjatë sesa që kemi menduar. Kemi pritur për 20 vjet – edhe sa duhet të presim?” thotë ajo. “Nuk kemi mbështetje nga familjet tona apo shoqëria. Qeveria na ka mbështetur pak por ishte shumë e vonuar. Është aq e vështirë për ne sepse e kaluara jonë po përsëritet. Edhe pse vuajtja jonë nuk kalon kurrë, pritja e bën edhe më të rëndë”.

Prej kur Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e viktimave të dhunës seksuale ka filluar të pranojë aplikacione, afro 800 të mbijetuara dhe të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e Kosovës kanë paraqitur aplikacione. Vetëm 145 janë pranuar dhe 102 janë refuzuar, e qindra tjera, përfshirë ato të Pranverës dhe Mimozës, ende mbesin pezull.

“Është proces shumë i vështirë, kompleks dhe i ndjeshëm”, thotë Minire Begaj, kryetarja e këtij komisioni. Ajo shpjegoi se vonesat e gjata mund të arsyetohen me llojet e ndryshme të dokumenteve që merr komisioni prej aplikuesve, e që disa prej tyre shkojnë deri në 500 faqe.

“Duhet të hysh në detaje me çdo gjë që paraqitet, çdo ekzaminim psikologjik dhe fizik, çfarë ka ndodhur, çfarë ka qenë relevanca, si të lidhet e tërë narrativa dhe në fund nuk ka ndonjë vijë të drejtë mendimi që mund të të çojë në një vendim përfundimtar”, thotë Begaj.

Ajo dha garanci se secili rast rishikohet deri në detajin më të vogël dhe se po punojnë aq shpejt sa munden.

Kur u pyet se a duhet t’i humbin shpresat të mbijetuarat, ajo tha: “Absolutisht jo. Ato kanë pritur 20 vjet, tash kanë mbetur vetëm ditë, jo më vite”.

Mirlinda Sada, drejtore e Medica Gjakova, një ka katër OJQ-të e autorizuara për të ndihmuar me procese të aplikimt, po ashtu po frustrohet nga vonesat e gjata. Ajo kujton se si OJQ-ja e saj i bindte dhe shtynte të mbijetuarat të aplikojnë – ajo nuk e priste këtë pritje disamujore për të marrë përgjigje.

“Përballemi me këtë problem çdo ditë”, thotë ajo. “Jemi vonë; jemi vonë me vendime. Gratë po fillojnë ta humbasin durimin”.

Sada shqetësohet për kornizën kohore të pesë vjetve gjatë së cilëve të mbijetuarat duhet të aplikojnë, dhe duke pasur parasysh vonesat e sivjetme, ajo druan se të mbijetuarat nuk mund të marrin kurrë përgjigje për statusin e aplikacionit të tyre. Shumë prej tyre po plaken dhe kanë probleme të rënda shëndetësore. Së voni, një e mbijetuar vdiq pak kohë pas përfundimit të aplikacionit përmes OJQ-së së Sadës. Komisioni as që e kishte marrë aplikacionin nga zyra e saj, gjë që duhet ta bëjnë rregullisht.

Fatimja është e mbijetuar tjetër e moshës 50 vjeçare, por ajo vetëm sa e ka paraqitur aplikacionin në shtator. Ajo di për pritjet e gjata që i bëjnë të tjerët, dhe frikohet se do të marrë përgjigje negative. Përkundër asaj, sytë i vezullojnë kur flet për pensionin që do ta përdorte për ta ndihmuar veten dhe për t’i blerë medikamentet që i duhen për dëmtimet e marra si rezultat i drejpërdrejtë i përdhunimit.

“Meritojmë të paguhemi për vuajtjet tona. Së paku nuk na duhet lypim para. Mund t’i përdorim ato para për medikamente,” thotë ajo.

*Të gjithë emrat janë ndryshuar për t’i mbrojtur identitetet e të mbijetuarave

Valerie Plesch është fotogazetare e pavarur dhe shkrimtare me bazë në Prishtinë. Gjatë vitit të fundit ka fotografuar të mbijetuara të përdhunimit gjatë luftës si pjesë e një projekti afatgjatë fotografik për trashëgiminë e dhunës seksuale në Kosovë.

Të ngjajshme