Puhëriu apo Pallagorio, qytezë arbëreshe që të mahnit me poezi

11 Tetor, 2021 - 11:15 pm

Gjatë vizitës sime me 23 gusht të këtij viti, në rajonin e krahinës së Krotonës në Jug të Italisë, pasi kisha vizituar dy katundet: Carfizzin dhe Shën Kolin apo San Nicola dell’Alto, për vizitë isha në njërën nga ngulimet kryesore arbëreshe të këtij regjioni, qytezën e Puhëriu, apo në italisht Pallagorio, që shtrihet në një pllajë përplot gjelbërim për gjatë tërë rrugës.

Që në çastet e para të vizitës, ndihesh tepër mirë kur në rrugë e familje e has të folmen shqipe, ndërsa ruhen edhe zakonet dhe traditat por jo më me ritin bizantin-grek. Krahas kishave të vjetra e madhështore, si në rrugë ashtu edhe në muze gjen vargje të gdhendura përplot mall e nostalgji për tokën e të parëve.

Gjatë vizitës në shoqërim të Amodeo Andrea dhe Michele Greco në shtëpinë tij me shumë bujari na priti  shkrimtari arbëresh , prof.Carmine Gentile, duke na gostitë me pije dhe njoftuar me veprat e tij më të reja, kushtuar vet vendbanimit të tij Puhëriut. Ndërsa edhe Ettoro Bonanno, përmes një shqipe të pastër, në rolin ciceroni në muzeun etnografik, na njoftoj në detaje për ato që ishin ekspozuar këtu, si kostume, libra, piktora apo edhe mjete pune që përdoren në këtë anë. Por ajo që bie në sy në këtë muze, që në hyrje janë shkronjat e alfabetit tonë, të përcjella me figura të ndryshme në mënyrë që të fëmijëve dhe të rinjve tua bëjë dhe më të afër e më të dashur gjuhën dhe shkronjat tona. Me një fjalë Ettoro, ky i ri që ka studiuar në Universitetin e Kalabrisë na foli edhe për Puhërin, gjegjësisht Pallagorinë se si edhe më tej këtu ruhet gjuha dhe traditat e të parëve.

Po gjatë kësaj vizite, në këtë qytezë, ku në sheshin e tij kryesor ndodhet , si edhe në shumicën e fshtrave arbëreshe, monumenti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, ndërsa që Puhëriu dallon edhe me kisha të larta e shumë impozante.  Më pastaj bëmë një xhiro nëpër katund që shquhet për kisha tejet impozante, në muret e të cilave hasë vargje shumë mbresëlënëse në gjuhën shqipe.

Nga libri “Arbëreshet dhe ngulmët e tyr në Itali”, mësojmë se : “Arbëreshët që u  vendosën në këtë territor  ishin  në  lëvizje të vazhdueshme, nga një vend në tjetrin, ku përveç disa gjërave të përditshme që mund të zotëronin, duke punuar në tokat e të tjerëve, nuk kishin asgjë tjetër. Shtëpitë e para ishin prej kashte   dhe vështirësive për të mbijetuar iu shtua edhe ajo ritit, sepse iu imponohej riti latin…

Kambana meriton vëmendje të veçantë, duke u ngritur me madhështi në anën veriore të kishës. Të kujton në strukturë kullën e Palazzo Vecchio në Firence. Është ndërtuar me tulla, rreth vitit 1900, me dëshirën e Lorecchio me bashkëpunimin e njerëzve të Puhëriut.”

Po ashtu këtu shquhen edhe Kisha e S. Antonio në Gradea, Kisha e San Cristoforo, si dhe Kisha Madonna del Carmine, por edhe disa figura të veçanta siç janë : “Anselmo Lorekio (Anselmo Lorecchio, botues  dhe figurë publike arbëreshe, që iu kushtua studimit të kulturës shqiptare dhe mori pjesë aktive në lëvizjet politike e kulturore të kohës, si dhe drejtoi punimet e Kongresit të Dytë Albanologjik në Ungër (Lungro) më 1897 dhe u zgjodh president i “Societa Nazionale Albanese” (Shoqata Kombëtare Shqiptare). Botoi me shpenzimet e veta vepra të shumë shkrimtarëve arbëreshë.

Puhëriu dallon edhe me një figurë të shquar femre arbëreshe e kjo ishte: Ofelia Xhudiçisi (Ofelia Giudicissi), e cila siç mësojmë : “Në vitin 1964, botoi veprën e parë letrare, “Pallagorio”, një libër me  poezi, i frymëzuar plotësisht nga bashkëqytetarët e saj, me të cilët u lidh fort.” /

Nga Rexhep Rifati / KultPlus.com

Të ngjajshme