Punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta në Kullën e Sahatit

24 Nëntor, 2021 - 9:30 pm

Në Kullën e Sahatit në Kalanë e Prezës vijojnë me ritme të shpejta punimet për restaurimin e saj, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas CHwB Albania, këndi i shembur dhe muratura e sipërme e kullës po rindërtohen gradualisht, me synimin për të siguruar një lidhje më të mirë të muraturës së re me atë ekzistuese si dhe në të njëjtën kohë duke e siguruar atë ndaj fatkeqësive të mundshme natyrore, përmes përforcimit strukturor.

“Kulla e Sahatit përfaqëson një monument shumë të rëndësishëm dhe simbolik për Prezën dhe jo vetëm, prandaj po bëjmë çmos për t’u siguruar që të rezistojë në kohë, më e sigurtë dhe për brezat që do të vijnë”, thekson CHwB Albania.

Tërmeti i rënë më 26 nëntor 2019 shkaktoi dëme edhe në kalanë e Prezës, monument kulture, e cila nisi të ndërtohej në shekullin e 14-të dhe përfundoi në fillim të shekullit të 15-të. Si pasojë e tërmetit muri i kalasë u ça, ndërsa ranë edhe disa gurë.

Projekti i restaurimit është zhvilluar dhe po zbatohet nga ChwB Albania dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII–XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m. / KultPlus.com

Të ngjajshme