Qeveria shqiptare shkakton ‘përplasje’ mes Katolikëve dhe Ortodoksëve

22 Tetor, 2017 - 10:57 am

Kisha Ortodokse Shqiptare nuk i ka kursyer kritikat e saj pas një ceremonie të zhvilluar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në Kishën e Labovës së Kryqit.

Sipas ortodoksëve, 3 priftërinj katolikë nga Italia, së bashku me një grup turistësh italianë shihen të kryenin “meshën e parë” në Kishën Orthodhokse të Labovës së Kryqit, një monument i famshëm bizantin.

Në këtë ngjarje ishte e pranishme drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani dhe persona të tjerë, ndërkohë që ende vazhdojnë të kryhen punime plotësuese për restaurimin e këtij monumenti.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë thotë se, nuk pati asnjë dijeni rreth kësaj ngjarjeje.

“Protestojmë për këtë shkelje të re të ligjit që thotë se “shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Kisha Ortodokse thotë se, është një fakt i pranuar ndërkombëtarisht se shteti nuk ka kompetencë të japë lejë në mënyrë arbitrare tek Kisha apo Fe të tjera, që të përdorin një objekt ortodoks kulti.
“Iniciativa të tilla të papërgjegjshme janë shkelje e hapur e lirisë fetare dhe cenojnë bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri” – thuhet në deklaratën e KOASH.

“Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk do të reshtë kurrë së theksuari të drejtat e saj, siç ato përcaktohen qartë nga ligji që thotë se “shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit ortodoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjtë, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në deklaratë./ KultPlus.com

Të ngjajshme