Qytetet me dendësinë më të madhe në botë, ndër to edhe Tirana

Tetor 11, 2018 - 2:00 pm

Migrimi i brendshëm i popullsisë e ka shndërruar kryeqytetin në një nga qytetet me dendësinë me të madhe të popullsisë për kilometër katror në botë.

Sipas të dhënave të INSTAT ne publikimin për statistikat e rajoneve 2017, qarqet si Tirana, Durrësi dhe Vlora gjatë vitit 2017 kanë pësuar rritje të numrit të tyre të popullsisë, ndërkohë që qarqet e tjera vazhdojnë të kenë një rritje negative.

Qarku i Tiranës i cili përfshin edhe kryeqytetin e Shqipërisë ka dendësinë më të lartë me 529 banorë për km2, ose pesëfishin e mesatares. Duke ju referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara, të publikuara në “Wikipedia”, Tirana është qyteti i 24 -et në botë për dendësinë e popullsisë për kilometër katror. Qyteti me dendësinë më të madhe të banorëve për kilometër katror në botë është Macau në Kinë me 20 mijë banorë për kilometër katror dhe më pas Monaco me rreth 19 mijë banorë për kilometër katror.

Dendësia e Shqipërisë

Në Shqipëri qarku i dytë me dendësinë më të lartë është Durrësi me 375 banorë për km2 ndjekur nga qarku i Fierit me 159 banorë për km2.

Dendësia e popullsisë në mes të vitit 2017 është 100 banorë për km2, vlerë e cila ka pësuar ndryshime shumë të vogla në pesë vitet e fundit. Shpërndarja e dendësisë sipas qarqeve tregon se vetëm 3 qarqe kanë dendësi mbi 150 banorë për km2.

Popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar pas vitit 2001, ky trend vazhdon edhe në vitet në vijim, por ritmi i rënies së saj ka ardhur duke u zvogëluar. Pavarësisht rënies së popullsisë gjithsej, nuk mund të përgjithmonë këtë fakt për të gjithë qarqet.

Popullsia e vendit po shkon drejt procesit të plakjes si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë dhe për më tepër emigracionit i cili vazhdon të mbetet veprues dhe që përfshin një popullsi relativisht të re.

Nga ana tjetër kemi vetëm dy qarqe dendësia e të cilëve është nën 40 banorë për km2. Dendësia më e ulët përqendrohet në zonat më periferike të vendit tonë, qarku i Kukësit në verilindje dhe qarku i Gjirokastrës në juglindje. Ky i fundit ka dhe dendësinë më të ulët në territorin e Shqipërisë, rreth 22 banorë për km2.

Gjatë vitit 2017, vetëm dy qarqe të vendit kanë pësuar rritje në numrin e popullsisë, Tirana dhe Durrësi. Ndryshimet në popullsinë e qarqeve, përveç dy komponentëve kryesorë, shtesës natyrore dhe migracionit neto, një rol kryesor luajnë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë. Pavarësisht se efekti i tyre në popullsinë gjithsej të vendit është zero, ndikimi i tyre në popullsinë e qarqeve është i konsiderueshëm.

Ndryshimin bruto më të lartë në numrin e popullsisë e shënon qarku i Gjirokastrës me rënie prej 46,3 për mijë banorë, ndjekur nga Dibra dhe Berati. Nga ana tjetër, Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë koeficientin bruto të ndryshimit të popullsisë pozitivë respektivisht 24,8, 16,7 dhe 2,6 për mijë banorë.

Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë ndryshuar vendbanimin në pesë vitet e fundit kanë lëvizur në qendrat urbane, që në shumicën e rasteve, përfshin kryeqytetin, Tiranën, ose zonat përreth tij. Edhe pse lëvizjet e brendshme janë shumëdimensionale, është e dukshme se shumica dërrmuese e flukseve të migracionit të brendshëm fokusohen drejt Tiranës dhe Durrësit.

Ndërsa Gjirokastra, Dibra dhe Kukësi qarqe të cilat kanë një balancë të thellë negative të migracionit të brendshëm, këto qarqe përjetojnë flukse shumë më të larta dalëse të popullsisë sesa flukse hyrëse, shkruan monitor./ KultPlus.com

Të ngjajshme