Qyteti kosovar me xhamitë më të vjetra në rajon

11 Qershor, 2018 - 11:45 pm

Janë të lashta sa edhe vetë qyteti i Pejës. Xhamitë, objektet e fesë Islame, ruajnë traditën, kulturën dhe edukimin fetar të shumë brezave për shekuj me radhë.

Ato janë të veçanta, jo vetëm në vendin ku ndodhen, por edhe për rajonin.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifi, për emisionin ‘Pasdite’ në RTV Dukagjini, foli për xhamitë më të vjetra të qytetit dhe rolin e tyre përgjatë historisë.

“Kur flasim për xhamitë e vjetra ne Pejë menjëherë na shkon mendja te Xhamia e Çarshisë, Xhamia e Hamamit, Xhamia Kurshumli etj., ku disa nga to janë të shekullit XV, e të tjerat nga shekulli XVI. E, sipas të dhënave që kemi më e vjetra llogaritet të jetë Xhamia e Çarshisë”, thotë mulla Musliu, përcjell Telegrafi.

I pari i komunitetit mysliman të Pejës, tregon një ngjarje shumë interesante se si e mori emrin Xhamia Kurshumli.

“Në një periudhë kohore, ushtria turke këtë xhami e ka përdorë si depo të armatimit. Kur erdhën malësorët me pisha të ndezura për të marrë armatimin, njërit prej tyre i kishte rënë pisha nga dora. Në bazë të tregimeve, xhamia ka eksploduar dhe kubës, meqë ishte e ndërtuar prej plumbit, copat i kanë mbërri në një perimetër shumë të gjerë, deri te stacioni i trenit”, rrëfen mulla Musli Arifi.

Të ngjajshme