Raporti i Progresit: Kosova duhet ta respektojë të drejtën e Kishës Ortodokse Serbe

18 Prill, 2018 - 9:25 am

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar dje, mes tjerash për Kosovën ka përmendur edhe fushën e kulturës, artit dhe të drejtave kulturore.

Në një pjesë të raportit përmenden marrëdhëniet mes autoriteteve kosovare dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Dihet se trashëgimia serbe në Kosovë është problematike dhe se në të kaluarën ka pasur tensione në këtë fushë mes dy shteteve.

“Ka një përpjekje që këto marrëdhënie të ripërtërihen. Njësiti i Policisë së Kosovës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore i mbron objektet e trashëgimisë kulturore serbe. Disa incidente të vogla janë raportuar në disa raste. Autoritetet e Kosovës megjithatë duhet të tregojnë se Kisha Ortodokse Serbe i ka të gjitha të drejtat mbi territorin dhe pronësinë e saj. Kosova duhet të tregojë se e respekton këtë të drejtë” shkruhet mes tjerash në Raportin e publikuar dje, me vonesë dhe aspak premtues për Kosovën, shkruan KultPlus.

Raporti ka përmendur se ka nevojë për më shumë përpjekje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nëpër Kosovë.

“Qeveria ka bashkëpunuar me EU në draftimin e strategjisë për trashëgimi kulturore 2017-2027. I njëjti përkushtim pritet edhe për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore” shkruhet në këtë raport.
Duhet të punohet më shumë edhe për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ndërsa në përgjithësi raporti vlerëson se ka pasur zero progres në fushën e edukimit dhe kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme