Reportazh: 12-të vite pas bekimit të gurthemelit, u shugurua Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë

5 Shtator, 2017 - 7:37 pm

Sarandë Selimi

Sot janë mbushur gjithsej 20-të vite qëkur u nda nga jeta Gonxhe Bojaxhiu, ‘lule’ e tokës dhe gjakut shqiptar, Motra Terezë e Loretos (1929), Nëna Terezë ‘Misionare e Dashurisë’ (1959), Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003) dhe së fundmi Shën Nënë Tereza (2016).

E pikërisht sot në këtë ditë të shenjtë u bë edhe Shugurimi i një vendi të shenjtë, ai i Katedrales ‘Nënë Tereza’ në kryeqytetin kosovar.

Qindra njerëz sot morën rrugën për në Prishtinë. Rruga kryesore që të dërgonte tek Katedralja ishte bllokuar e tëra për vetura. Karrige të shumta ishin vendosur para katedrales e poashtu edhe një monitor i madh për të gjithë ata njerëz që nuk kishin bileta për të hyrë brenda në këtë tempull të shenjtë që ta shohin nga afër Shugurimin e tij nga Kardinali Shqiptar Ernest Simoni – i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut.

Njerëzit ishin mbledhur para orës 11:00 dhe fiks në këtë orë u hapën dyert e katedrales duke prirë Kardinali Simoni, e pas tij Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, Presidenti i Republikës së Kosovës – Hashim Thaqi, Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës – Isa Mustafa, Kryeparlamentari i Maqedonisë – Talat Xhaferi, politikanë nga të gjitha partitë e Kosovës, familja e presidentit historik Ibrahim Rugova, krerë nga besime të ndryshme fetare, shumë besimtarë e mbi të gjitha shumë njerëz që vlerësojnë lartë kontributin e të shenjtës Nënë Tereza.

Kardinali Ernest Simoni, nisi me lutjet e para, e pas kësaj mbajti një fjalim, një lloj ligjërate mbi atë se çka simbolizon Jezu Krishti e atë çka simbolizon Shën Nënë Tereza.

“Këtë ditë të madhe na e fali Zoti të gjithëve së bashku, që të bashkohemi para Krishtit tonë e t’i japim nderë e lavdi shpëtimtares tonë që ka drejtuar botën shpirtërisht. Një bijë e kombit tonë ishte ajo që i ndihmoi gjithë botës dhe ishte shembull i fuqishëm i të gjithëve. Vëllezër e motra, dua që këtë ditë ta falënderojmë të madhin Zot, t’i lutemi të madhit Zot për të gjitha të mirat që na i ka dhënë”, tha ndër të tjera ai, i cili vazhdoi tutje këtë ceremoni madhështore të Shugurimit të Katedrales.

KultPlus, i pranishëm në këtë ceremoni gjatë gjithë kohës, shoqëroi me video të ndryshme për lexuesit pjesën kryesore të kësaj ceremonie. Gjithçka kishte madhështinë e vet por ajo kryesorja ishte lyerja me vaj të shenjtë e pjesës kryesore të Katedrales, duke vazhduar më pas me lyerjen e 12 kryqeve në shtyllat ku qëndrojnë themelet e Katedrales e që simbolizojnë 12 Apostuj. Pas kësaj u bë tymosja e gjithë katedrales e krejt në fund erdhi koha e kungurimit që iu bë të gjithë besimtarëve të krishterë që ishin të pranishëm.

Pas krejt këtyre riteve fetare erdhi koha e fjalimeve nga të pranishmit, duke nisur me Presidentin e Kosovës – Hashim Thaqi.

Në fjalën e tij, Thaqi tha se kjo katedrale është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës.
“Ndihem shume krenar që qysh në verën e vitit 1999, pak ditë pas përfundimit të luftës në një bisedë me komunitetin katolik të shqiptarëve të Amerikës hodhëm idenë e ndërtimit të Katedrales në Prishtinë. Bashkërisht vumë gurthemelin e inauguruam Katedralen dhe sot jemi bashkë në shugurimin që po ndodhë”, ka thënë Presidenti.
Sipas tij, me shekuj të tërë myslimanë e katolikë kanë vizituar teqetë e njohura për të gjetur shërim për sëmundje apo halle, dhe me shekuj të tërë myslimanë e të krishterë kanë shkuar në kishë për të gjetur përgjigje për hallet e tyre.

Ai ka thënë se tradita jonë popullore kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës, xhamisë, manastirit apo teqesë, duke uruar që kjo Katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, t’ju përkujtojë fëmijëve tanë dhe gjithë gjeneratave që vijnë se kush ishte Shën Tereza.
Pas fjalimit presidenti Thaqi u largua menjëherë bashkë me kryeministrin në largim – Isa Mustafa dhe ministren në detyre të MKRS-së Vlora Dumoshi.

Fjalimet vazhduan, ku disa fjalë tha edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, i cili përveç të tjerash u shpreh shumë falënderues për të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë ceremoni.

Shugurimi i Katedrales ‘Nënë Tereza’, u bë sot, më 5 shtator, në përvjetorin e 20-të të vdekjes së Shën Nënë Terezës, plotë 12 vite, pasi që ishte bekuar gurthemeli i saj më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit presidentit historik Ibrahim Rugova. / KultPlus.com

Të ngjajshme