Reportazh: Vlora, një art i rilindjes së antikitetit klasik

21 Maj, 2021 - 12:21 pm

Era Berisha

Shiu pranveror, shoqëruesi ynë i veçantë në hyrje të kufirit të Shqipërisë kishte kapluar atmosferën në një mbizotërim të lehtë të pikave të cilat binin lehtësisht mbi dritaret tona e që njëkohësisht pamjet e bukura të reve kishin zënë tërësisht vendin e tyre në qiell, por ketë herë jo në formën e tyre të zakonshme, por ato frymonin në hapësirën personale të maleve të larta të cilat jepnin një përshtypje se po bashkoheshin dy botë krejtësisht të ndryshme në një mjegullinë të vetme që nuk po i dukej as fundi e as fillimi, shkruan KultPlus.

Tokat e shtrira e të punuara në vija dëshmonin se bujqësia është aq e pasur ku së bashku me natyrën që posedonte një gjelbërim herë të errët, herë të çelur e herë një e gjelbër e pa identifikuar dhe shtigjet e vogla të rrezeve që depërtonin pingul vende-vende në shkëmbinjtë përreth, në një ndërlidhje me trazirën e ëmbël të shiut dhe lulet shumëngjyrëshe të cilat dalloheshin akoma më shumë kur ngjyra e tyre gjallërohej nën pikat e shiut, këtë peizazh në hyrje të Shqipërisë e bënte akoma më të bukur për ta shijuar e sidomos kur vrojtohet behari që po binte dalëngadalë mbi një fund që ishte e pamundur ta kapje.

Ndalesa jonë e parë në qytetin e Durrësit, i vendosur në brigjet e detit Adriatik dhe i cili jo vetëm që ka një histori të jashtëzakonshme por ngërthen në vete imazhe të veçanta ku pas çdo blloku të banesave në një shtrirje të gjerë mund të admirohet pamja e detit e cila nga larg dukej se sapo kishte filluar shkëlqimin e portretit në një përndritje të ngrohtë por që në të vërtetë nga afër këto valë dinake sa vinin e u rritnin në një epërsi vrazhdësie që shkrihej në breg duke formuar një ikonografi të tyre dhe duke na dhënë një iluzion se këto valë të cilat përplaseshin sa andej e këtej, kanë jetë dhe po njëlloj si kujtimi ynë për dikë, edhe ato jetojnë në përjetësi.

Ndërsa, në mesditë atëherë kur dielli bëhet gati për ta lëshuar fronin e tij, në një tingëllimë mjalti që po ngjyroste kanvasin e zakonshëm të qiellit të kaltër në një ngjyrë rozë e cila po jetësohej përnjëherë duke pikturuar kështu ndjenja entuziaste me një pendë delikate në një spikatje mbretërore që na kishte zënë rob në mbështjelljen magnetizuese të perëndimit. Ndërkohë , aty pranë, siç pamë mund të zhvillohen edhe sporte të ndryshme si ‘kitesurfing’.

Tani, nisja për në qytetin e Vlorës, qyteti bregdetar në jugperëndim të Shqipërisë, na zuri në një adrenalinë të këngëve shqiptare që si dukej na bëri gati për atë se çfarë do të pasonte më vonë. Hyrja e këtij qyteti i cili ka përballë një mal shtatë lart që ishte prezent në çdo kënd ku sytë arrinin të shihnin dhe së bashku me shtëpitë e boshatisura që dhuronin kënaqësi estetike, rrugicat e ngushta me kalldrëm, dyqanet e vogla të vendosura radhazi në dy anët e rrugës të mbushura me suvenire, palmat që nga larg shtriheshin në pëllëmbë të dorës, e shndërronin Vlorën në një klithmë renesance të antikitetit klasik, aty ku parajsa e shtatë magjepset e rrëmbehet pas mëkatit ngazëllues të ekstazës mistike.

Ecjet përgjatë qytetit të Vlorës, shijimi i ushqimit tradicional në gërshetim me atë detar dhe italian, pemët e vendosura në një vijë vertikale, dashamirësia e vlonjatëve, plazhet e shumta, monumentet kulturore, brigjet e pakrahasueshme, deti trazues e tufat e kafshëve që dilnin papritmas në një befasi të dëlirë si dhe përmes peizazheve të këndshme, mund të përjetohen në një rilindje njerëzore ku zgjuarsia, bukuria dhe e vërteta përjetohen në një afsh lirik.

Gjatë ecjes në këtë qytet unik, një kafene mjaft e veçantë e cila dallohet direkt përballë teatrit ‘Petro Marko’, aty ku u shënua historia e themelimit të Teatrit Profesionist të Dramës, e titulluar me emrin ‘Poema Bistro’, ofronte një rehati përmes soditjes së dizajnit bohem, shijimit të ushqimit tradicional, duke filluar nga mishi i pulës me patate dhe qofte, salca e djathit dhe qepëve, buka me vaj ulliri dhe erëza, djathërat e ndryshëm, sallama e pjekur në skarë, makarona, qofte, sallatat e deri tek verërat diversive e në veçanti e bardha që papritmas të bënte pas vetes. Ndërkohë , për të apasionuarit e pianos, për ata që personalisht nuk kanë pasur mundësi ta ndjejnë magjinë që instrumenti sjell, ekzistonte mundësia që të krijonin një interpretim çasti që lehtësisht mbahet mend në rrënjën surreale të kujtimeve.

Gjithashtu, hapja zyrtare e sezonit turistik veror në Vlorë u shënua me koncertin nga artistët si: Marsela Çibukaj, Bruno dhe Klajdi Haruni. Ky koncert mblodhi rreth vetes  qytetarë dhe vizitorë të shumtë duke nisur nga moshat më të vogla e deri tek të moshuarit që po shijonin këngët shqiptare duke kërcyer e argëtuar jashtë mase. Malli për të parë një turmë të tillë i gjeti edhe banorët e shtëpive të afërta në ballkonet e dritaret e tyre duke dëgjuar këngë të vjetra shqipe ku ndër to ishte edhe kënga ‘E dehun jam’ nga bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha, këngë kjo që në brendësinë tonë solli një qetësi shpirtërore.

Kurse, aty ku shtrihet prehri i shkëmbinjve që rrahet ëmbëlsisht nga tundimi i dallgëve manipuluese, ndodhet edhe vija bregdetare e Vlorës e pasuruar me ujërat e detit të kristaltë që ngjason me atë të ‘Côte d’Azure’ në Francë, pikërisht për arsye se ky peizazh ofron paroksizëm poetik, një burim frymëzimi ku krahnori i zjarrmisë pushon nën hijen modeste shpirtërore.

Gadishulli i Karaburunit ka formën e një harku në një gjatësi rreth 15 km që përqafon një peizazh natyror me bregdetin e përthyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, gjiret e shumta dhe të fshehura, kullotat e pasura dhe gëlqerorët e periudhës së paleogjenit ku shikuesi lehtësisht përmes një udhëtimi me anije, mund ta admirojë këtë copëz gjigande e cila pranon puthjet e shumta të ujit përreth. Ndërkohë, në skajin veriperëndimor të Karaburunit, ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë ku është e vendosur shpella e Haxhi Alisë, aty ku rrezet e diellit nuk kanë prekur asnjëherë dhe syri i njeriut humbet në lartësinë dhe bukurinë e mahnitshme të saj që duket sikur zotëron një errësirë e cila frymon si gjurmë e vazhdueshme e këtij Gadishulli.

Ky port është i mbushur me anije të vogla të cilat pushonin afër bregdetit në një vijë çoroditëse, ofronin një pamje ku edhe shkrepja e fotografisë më të bukur nuk do të mund ta përçonte emocionin e huazuar për pak çaste nga soditja e bukurive natyrore dhe fluturimit të shpendëve që formonin një trajektore lëvizëse në horizontin përvëlues të venitjes që fishket në papërfytyrësinë e çiltër.

Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të veçantë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në disa hotele që ndodhen në qytetin e Vlorës, si: Albanian Star Hotel, Harmonia Hotels Group, Regina Garden Hotel dhe Kraal Hotel. Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga portali ”Trip to Albania”, i cili do të hapet zyrtarisht më 30 maj të këtij viti.

Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme është shprehur se në muajt në vazhdim asgjë nuk do të duket më njëlloj në Vlorë.

“Ne kemi bërë një projekt të ri me Qeverinë Shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit që do të ndërrohet tërësisht zona e plazhit të vjetër. Kur unë kam qenë fëmijë, ajo që ishte zona e prindërve dhe gjyshërve tanë, ishte pikërisht kjo këtu”, thotë Leli.

Sipas tij, pandemia gjunjëzoi globin por shqiptarët qëndruan bashkë për të mbajtur gjallë ekonominë e turizmit sepse të gjitha investimet që bëhen kanë nevojë për klientë dhe klientët kanë nevojë për mikpritje, shërbime dhe atraksione të vërteta në vijën bregdetare të Vlorës.

Në fund të këtij udhëtimi është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga portali ‘Trip to Albania’ dhe Bashkisë së Vlorës ku synohet promovimi masiv.

Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’ dhe Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës.

E themeluar në shekullin VI p.e.s., fillimisht me emrin Aulona, Vlora është qytet i lashtë ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë shqiptare më 28 nëntor 1912 dhe konsiderohet si njëri nga portet kryesore të Shqipërisë dhe qyteti më i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor i Shqipërisë jugperëndimore, andaj turizmi në këtë pjesë është joshja kryesore për një vizitë në tërë Shqipërinë që pasuri dominuese e ka natyrën dhe historinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme