Restaurimi dhe sistemimi i muzeve të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër

16 Tetor, 2021 - 1:30 pm

Në Gjirokastër vijon puna për restaurimin e vlerave karakteristike që nga rehabilitimi i rrugëve me kalldrëm deri tek shtëpitë karakteristike në lagjet tradicionale.

Kryeministri Edi Rama bën të ditur se në qytetin e gurtë vijon puna për restaurimin e shtegut, “Kronikë në gurë”, restaurimin e shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare si dhe të muzeut Etnografik.

“MIRËMËNGJES, dhe me punën që vazhdon pa pushim për restaurimin dhe sistemimin e muzeve të trashëgimisë sonë kulturore në Gjirokastër, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shprehet Rama krahas pamjeve nga investimet që po kryhen në këtë qytet turistik.

Gjirokastra, me  kalanë, rrugët me kalldrëm, muret dhe çatitë prej guri dhe ballkonet e drunjta krijojnë një arkitekturë unike. Aktualisht po restaurohen 4 objekte duke ndërthurur simbiozën e të vjetrës me të renë në ruajtjen e karakteristikave historike. Duke qenë se objektet janë amortizuar përgjatë viteve, ndërhyrjet konsistojnë në restaurim/rindërtim kalldrëmi, restaurimi/konsolidimi i mureve anësore, ndriçim estetik etj.

Aktualisht vazhdon restaurimi i kalldrëmeve në rrugën ‘Sado Meleqi’ si dhe rrugën “Ramadan Mane”, ndërsa paralelisht po punohet dhe për restaurimin e mureve prej guri.

Ndërkohë në muzeun “Ismail Kadare” kanë përfunduar punimet për shtrirjen e rrjeteve të ndriçimit, internetit, mbrojtjes nga zjarri, kamerave, ngrohjes etj. Shtëpia u ndërtua në 1799, dhe është shpallur monument kulture në 1991. Shtëpia muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018 me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Kadaresë. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike Palorto dhe gjendet lehtë. Brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes si p.sh. një sënduk, disa foto etj.

Në projektet ku po investohet në Gjirokastër përfshihet edhe Muzeu Etnografik, ku po vazhdojnë punimet e suvatimit dhe patinimit të mureve të gurit dhe punime restaurimi, si dhe punime të rikonstruksionit të çatisë.

“Muzeu Etnografik është në 40% të punës tashmë. Këtu kemi edhe pjesë të pllakave me shkrime nga Edward Lear të cilat do të jenë pjesë e shesheve ku do jetë i gjithë itinerari i Edward Lear”, –ka deklaruar gjatë një inspektimi në terren ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Si një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike dhe kulturore nëpërmjet këtyre investimeve synohet të ruhen vlerat e objekteve historike, si atraksione gjithmonë edhe më tepër të preferuara në shërbim të turistëve.

Si një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga rreth 80 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në vit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme