Rijetëzimi i Qendrës Historike të Vlorës, rol i rëndësishëm turistik

4 Korrik, 2019 - 1:00 pm

Qendra Historike e Vlorës po rijetëzohet duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktivë dhe tërheqës kulturor.

Ky projekt ka bërë bashkë qeverinë shqiptare Ministria e Kulturës,Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim The_AADF, Bashkinë Vlorë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Sheshi para bashkisë po shtrohet me pllaka guri, ndërsa në rrugën “Justin Godart” rikonstruksioni i infrastrukturës nëntokësore është drejt përfundimit.

Hapi i radhës është shtrimi i trupit dhe trotuarëve me pllaka guri. “Justin Godart” do të jetë e dedikuar për këmbësorët dhe e pajisur me ndriçim, gjelbërim dhe mobilim urban.

Ndërkohë paralelisht është punuar për restaurimin e godinave historike në zonën B, unifikimin e fasadave për të nxjerrë në pah historinë dhe bukurinë e tyre.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni./k.s/ /a.g/

Të ngjajshme