Rikthehet buxheti për shtatoren e Çettës, ende në kërkim të lokacionit

25 Janar, 2018 - 9:17 am

Shteti ka rikthyer buxhetin për shtatoren e Anton Çettës. Brenda dy javësh pritet të hapet konkursi për propozimet për realizimin e saj. Por procedurat për këtë do të nisin ende pa u ditur vendi se ku do të vendoset vepra në nderim të mbledhësit të folklorit e prijësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale planifikon që gjatë periudhës së punimit të shtatores të gjendet edhe lokacioni. Tash ky është institucioni te i cili është bartur projekti, i cili dështoi vitin e kaluar.

Shteti ka ndarë 70 mijë euro për këtë projekt. Synimet për ngritjen e shtatores së prijësit të njërës prej lëvizjeve më të mëdha gjatë viteve të ’90-ta në Kosovë është rikthyer në agjendën e institucioneve shtatë muaj pasi Qeveria kishte tërhequr buxhetin për këtë projekt. Përderisa Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale synon konkretizimin e realizimit të shtatores, Këshilli që ka iniciuar ngritjen e saj ende është në kërkim të vendit ku do të vendoset.

Vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores të paralajmëruar në shkurt të vitit të kaluar do ta pengonte refuzimi i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it, që kishte reaguar se për këtë nismë është anashkaluar krejtësisht. Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati pëlqimit për vendosjen e shtatores.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve memoriale, Idriz Blakaj, ka thënë se planifikohet gjithçka të marrë epilog këtë vit, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Të ngjajshme