Rikthehet ‘Mokra n’Fest’, festa që ngjall traditën dhe mikpritjen

5 Gusht, 2025 - 3:40 pm

Mokra po bëhet gati të presë edicionin e gjashtë të festivalit “Mokra n’Fest”, një festë që prej vitesh mbledh bashkë mokrarët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke kthyer këtë zonë të bukur malore në një qendër të traditës, kulturës dhe mikpritjes.

Kjo festë do të mbahet më 16 gusht, nga ora 14:00 deri në mbrëmje vonë tek ura monument kulture në Golik. Gjatë festës do të zhvillohen aktivitete kulturore si koncerte e muzikë live dhe panair me gatime tradicionale.

Në skenën kryesore do të performojnë këngëtarët Mariola & Jurgen Kaçani, vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, Vëllezërit Kapa, Ansambli “Mokra”, Julian Elezi, Juli Tollozhina etj, si dhe këngëtarë të tjerë lokalë, që do të sjellin muzikën dhe shpirtin e kësaj treve të lashtë ilire.

Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet karakteristike të zonës, përgatitur nga duart e nënave mokrare si lakror në saç, kulaç tradicional, mish në hell, të gjitha me shije shtëpie dhe shumë dashuri.

Ndër aktivitetet që pritet të mbahen janë edhe kanoe në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, koloni piktorësh, ekspozitë fotografike, argëtim për fëmijë dhe të rinj.

Ky festival folklorik është më shumë se një festë, është një kthim në rrënjë, një kujtesë e vlerave dhe identitetit tonë kulturor, dhe një ftesë për të jetuar nga afër shpirtin mokrar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme