Rikthimi i “pipirisë” në Pazarin e Gjirokastrës

1 Maj, 2023 - 9:00 pm

Ministrja e Turizmit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro ishte sot në Pazarin e Gjirokastrës, i rijetësuar nga gërmadhat falë investimeve të kryera.

Kumbaro u ndal në një prej dyqaneve artizanale të vendosura në Pazarin e Gjirokastrës, ku theksoi se “kur ne e nisëm këtë punë 6-7 vite më parë ishte e vështirë për t’u kuptuar”.

“Surpriza e rikthimit të “pipirisë” së zhdukur, veshjes tradicionale gjirokastrite që Lizetës, njërës prej artizaneve duararta të Gjirokastrës, iu deshën tre vite për ta përfunduar, me gjithë detajet e nuancat e holla, sipas një ekzemplari origjinal që e gjejmë sot vetëm në një fotografi dhe në ndonjë muze jashtë vendit”, tha Kumbaro.

Ajo vlerësoi minimuzeun që ofron ky dyqan me veshje tradicionale, ndërsa vlerësoi se, “pipirija” e krijuar nga Lizeta mund të konsiderohet një vepër arti.

“Dhe e gjitha kjo ndodh në Pazarin e Gjirokastrës të rijetëzuar nga gërmadhat falë vizionit dhe investimeve të kryera ku sot ruhen xhevahiret e artizanatit tonë”, shtoi Kumbaro./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme