Rrëfimet mbi artin e Helidon Gjergjit

28 Qershor, 2019 - 10:00 pm

Artisti Helidon Gjergji ndodhet këto ditë në Tiranë, për një bashkëbisedim mbi artin, i ftuar nga “Harabel”.

Më 3 korrik, në ora 20.00, Gjergji do të jetë në Kino, në një rrëfim mbi artin dhe mënyrën sesi ai operon në ndërtimin e një koncepti artistik.

Gjatë karrierës së tij, Helidon Gjergji ka punuar me shumëllojshmëri mediumesh, që nga piktura te media-instalacioni dhe arti urban.

Pavarësisht mediumeve të ndryshme, puna e Helidon Gjergjit ka pasur vazhdimisht si pikësynim hulumtimin e brishtësisë dhe depërtimit të kufijve ndërmjet mediumit dhe parametrave të aftësisë individuale.

Gjergji do të paraqesë tri nga veprat e tij: “Trapa Natans Scutariensis”, “Spiced” dhe “Condimentos”, punime të cilat kanë të bëjnë me idenë e të jetuarit në kufi, aty ku kulturat, fetë dhe etnitë ndahen e bashkohen. Të tria projektet nxjerrin në pah konceptin se kufijtë janë artificialë dhe, shpesh, urat ndërlidhëse sulmohen e me gurët e tyre bëhen mure. Këto tri projekte janë pjesë e debatit apo përplasjes mes nacionalizmit e kozmopolitanizmit, çka zotëron diskutimin e sotëm të politikës kombëtare e ndërkombëtare.

Helidon Gjergji ka paraqitur punimet e tij në galeritë dhe organizimet kryesore të artit pamor në botë.

Të ngjajshme