займ на карту онлайн потребительский кредит

Rrëfimi për 82-vjeçarin që jeton në Fakultetin e Bujqësisë

1 Tetor, 2018 - 11:11 pm

Nuk është student e as profesor, por tërë kohën e kalon në Fakultetin e Bujqësisë. Aty e bën edhe gjumin. Ish-profesori i Shkollës së Lartë Bujqësore, Nexhmedin Berisha, që nga viti 1965 banon në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë. Dhoma e tij e gjumit gjendet në katin e fundit të këtij fakulteti, afër Kabinetit të Mbrojtjes së Ambientit. Përveç tij, në këtë hapësirë rrallë endet ndokush. Në Dekanatin e këtij Fakulteti thonë se Berisha ka kontratë për shfrytëzimin e kësaj hapësire, gjersa shtojnë se me dekada ai banon në këtë objekt, shkruan Gazeta Express.

Arsimoi me mijëra studentë për më shumë se 40 vite, por në fund shteti nuk i siguroi as edhe një vend ku të banojë.

Ish-profesori i Shkollës së Lartë Bujqësore, Nexhmedin Berisha, ka rreth pesë dekada që banon në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë.

Dhoma e tij gjendet në katin e fundit të këtij objekti. Afër dhomës së tij gjendet vetëm Kabineti i Mbrojtjes së Ambientit, i cili duket se nuk shfrytëzohet fare.

Përveç ish-profesorit rrallë kush endet nëpër këto hapësira, që sikur kanë mbetur në harresë të kohës. Shkallët e dëmtuara e muret e shkatërruara të këtij fakulteti të dërgojnë drejt dhomës ku banon 82-vjeçari nga Peja.

Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar në Fakultetin e Bujqësisë për të marrë rrëfimin e Berishës për jetën që bën aty. Por, ai nuk ka dashur të flasë.

Nexhmedini shkurt ka rrëfyer se aty banon që nga viti 1965, dhe se jeton i vetëm. Gjersa, thotë se ka edhe leje banimi për këtë hapësirë, të cilën e ka marrë para disa viteve.

Ai deklaron se më parë ka qenë profesor i Shkollës së Lartë Bujqësore, dhe që prej atëherë banon në këtë objekt. Por, për detaje të tjera thotë se nuk preferon të flasë.

“Unë kam qenë profesor në Shkollën e Lartë Bujqësore, ndërsa këtu banoj që prej 1965. Banoj veç vetëm, edhe e kam certifikatën për shfrytëzim të kësaj banese. Ma shumë nuk kisha dashtë me fol”, tregon Berisha për Express.

E ndërkohë në Dekanatin e Fakultetit të Bujqësisë, nuk po e dinë saktësisht se prej cilit vit, Berisha banon aty. Por, thonë se sipas informacioneve që ata kanë, ai banon në këtë objekt që nga vitet e 80-ta.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Skënder Kaçiu, i ka thënë Gazetës Express se në bazë të informacioneve që ai ka, Berisha posedon dokumente për pronësinë e tij.

“Me sa di ky është prej viteve të 80-ta vetëm dhe sa e di unë ai i ka dokumentet. Aty jeton edhe është vetëm. Nuk di detaje rreth tij, pasi që ai rri vetëm me roje dhe sigurim. Emrin e di që e ka Nexhmedin po e thirrin Nexh, por më shumë detaje rreth tij nuk di, pra nuk kam më shumë informacion rreth tij”, ka treguar Kaçiu për Express.

E më shumë njohuri rreth Nexhmedinit dhe jetës që ai bën në Fakultetin e Bujqësisë, duket se kanë sigurimi i fakultetit me të cilët shpeshherë Berisha e kalon ditën duke biseduar.

Një prej rojeve të këtij fakulteti i ka thënë Gazetës Express se ka kohë që Berisha banon në këtë objekt, dhe se siç u ka thënë ai paguan 30 euro në vit për të banuar aty.

Ai thotë se shpesh i bie të bisedojë me të, edhe pse shton se nuk di shumë për jetën e tij, pasi që siç thotë ai është paksa i heshtur. Deklaron se sipas asaj që ka dëgjuar, Nexhmedini ka një djalë, i cili edhe e viziton ndonjëherë.

“Po, Nexhi banon këtu që para luftës. Moti është këtu, edhe banon veç vetëm. Sa kam dëgju e ka një djalë, e edhe vjen kajherë e viziton. Qysh na ka thanë, ai paguan 30 euro në vit për me banu këtu, e i ka edhe dokumentet për shfrytëzim qasaj banese”, thotë ai.

E shumë prej studentëve që vijojnë studimet në këtë fakultet, as që janë në dijeni se Berisha banon në objektin ku ata ndjekin ligjëratat. E të tjerë thonë se e kanë parë shumë herë duke shkuar në banesën e tij, e tek më vonë kanë mësuar se ai banon aty.

Ndërkohë në këtë fakultet thonë se ky nuk është rasti i vetëm që një person banon brenda hapësirave të fakultetit.

“Ne e kemi edhe një objekt tjetër në objekt të fakultetit, që ka qenë një objekt një ish-punëtor i joni ka pas dokumente mbi pronësinë e këtij fakulteti dhe tash mbas vdekjes ka mbet ai objekt ashtu dhe as nuk mundemi me rrëzu as kurrgjë”, kanë deklaruar nga menaxhmenti i këtij fakulteti. /KultPlus.com

Të ngjajshme