Rrëfimi për jetën e Mixhës Ramë nga sytë e vajzës së tij

17 Dhjetor, 2020 - 11:14 am

Arbër Selmani

‘Jeta nuk është asgjë tjetër, veçse një shfaqje teatrale’– Mixha Ramë

“Babi ka qenë njeri i një tjetër konteksti shoqëror, ndryshe ka operu” fillon rrëfimin e saj Besa Domi.

“Një fëmijë i lazdrum, ndoshta i lazdrum prej shoqnisë e dashnisë, mirëpo shumë pak e dijnë që si Fitim e ka pasë një jetë shumë të rënduar. Për mua sot osht krenari si Besë me u identifiku me humorin e tij, e mbaj në ballë identitetin prej tij. Të gjithë ata që e kanë njohur babin edhe si Fitim edhe si Mixha Ramë, e më flasin për të me shumë dashni e respekt, unë ndihem skajshmërisht e përkëdhelun”.

Besa Domi e ka një tregim plot bukë të ëmbël e kripë me shije tmerri, kur flet për babain e saj, Mixhën Ramë.

Artisti e humoristi i njohur, i cili me mjeshtëri gërshetoi satirën, ironinë e talentin, e krijoi karakterin e  Mixhës Ramë, një prej personazheve më të dashura për shqiptarët, të cilët ishin të etur për të qeshura e për batuta e mesele nga më të mirat. Humoristi sot njihet më pak prej gjeneratave të reja, por prindërit tanë e njohin edhe e kujtojnë mirë Mixhën Ramë, humorin e tij, kasetat e kaltërta prej nga jehonte zëri i Mixhës Ramë në shtëpitë e çdo shqiptari. Jeta e Mixhës Ramë nuk njihet shumë për publikun, dhe këtë jetë e shpalosë me përjetimet e saj Besa Domi, vajza e Fitim Domit – Mixhës Ramë.

*

Nëna e Fitim Domit ishte Zyhra Mula, një ndër themelueset e Radio Prizrenit. Zyhraja, gjyshja e Besës, me të cilën do të udhëtojmë nëpër jetën e Mixhës Ramë, ishte asokohe shoqe e mirë me Nexhmije Pagarushën. Një grua avangarde për kohën e saj, Zyhraja ishte martuar me Qamil Domin, ky me shërbim në Shqipëri. Kësisoj ndodhë që Fitim Domi, fryti i dashurisë së Zyhrasë dhe Qamilit, të lindë në Tiranë, në vitin 1939.

Zyhra Mula

Fatkeqësia e parë që godet jetën e familjes Domi, është një dramë disi e kamufluar, kur edhe Qamil Domi vdes, ndërsa Zyraja, tanimë e vejë, vendosë që Fitimin, djalin e vogël 2 vjeç, ta braktisë.

“Gjyshen nuk e njoh shumë si karakter, por tregojnë që ka qenë një prej grave të para që ka luftu për të drejtat e grave. Feministe. Për çfarëdo arsye, për mua të pakuptueshme, ajo ka vendosë ta lë babin në Prizren, në strehimoren për fëmijët që i kishin humbur prindërit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, babi, për dallim prej të tjerëve që i kishin humbur prindërit, e ka pasë nanën gjallë” tregon Besa, sytë me lot.

Fitimi e përfundon më pas shkollën fillore në Prizren, ndërsa në Prishtinë vjen në shkollën e mesme normale.

“Mendoj që babi ka pasë përjetime të rënda në jetë dhe mekanizmat e tij mbrojtës e kanë detyru atë me e lumturu veten, e kështu është shndërru më pas në një njeri, që i ka lumturu krejt rreth vetes”

Besa Domi, e veshur si Mixha Ramë

Besa tregon se Mixha Ramë nuk ishte pranuar në Akademinë e Arteve në Beograd në atë kohë, edhepse një vit më vonë e kishin ftuar të vijonte studimet atje. Ai refuzoi.

“Babi ka pasë inat të madh dhe shpesh një ego vetë-shkatërruese, që e trashëgoj sot edhe unë fatkeqësisht, dhe nuk ka pranuar të shkojë në Akademi. Më pas ai filloi studimet në  gjuhë angleze, dhe kësisoj babi kishte mbetur një aktor i padiplomuar. Në rolin e tij si Mixha Ramë është veshur qysh në moshën 17 vjeçare, me tirqi, pra shumë herët, dhe për mua është shumë mëkat që e ka pasë veç atë rol. Njëra prej dhuntive më të mëdha të aktorëve osht imitimi, jeta, përjetimi dhe mishërimi me rolin, dhe babi e ka pasë këtë dhunti super të veçantë. Kudo që babi ka shkuar, e kanë dashur shumë, edhepse shpesh e mendoj që aktorët profesionalë ndoshta nuk e kanë pranu asnjëherë plotësisht, sepse ai ’nuk ishte i diplomuar’ në aktrim” pohon Besa.

*

Besa tregon se babai i saj ishte njëfarë Don Zhuani, posaqërisht në raport me gratë e jetën.

Martesa e parë e Mixhës Ramë ishte me një serbe të Beogradit. Me dashurinë si shkas, gruaja kishte ardhur të jetojë në Kosovë dhe nga ajo martesë lindin dy fëmijë: Eliza dhe Genci. Çifti nuk kalojnë mirë mes vete, probleme plot, dhe gruaja largohet për në Serbi bashkë me fëmijët, që situata të qetësohet. Pas disa muajsh, pas lutjeve që Mixha Ramë ia bën gruas së tij të kthehet nga Serbia, ajo i merr fëmijët dhe dy prindërit e saj dhe nisen për në Kosovë.

Dhe fatkeqësia e dytë godet jetën e Mixhës Ramë. Ishte tronditur krejt Kosova, asokohe kur del lajmi se të pesë udhëtarët e së njëjtës veturë nga Beogradi për në Kosovë pësojnë aksident, dhe vdesin që të gjithë. Mixhës Ramë jeta ia rrëmben të dy fëmijët dhe gruan e parë.

“Shumë vonë i kam analizu edhe kam reflektu mbi krejt këto ngjarje të jetës së babit.  Babi më vonë është njoftu me nanën, Violetën, dhe nga kjo martesë jemi unë edhe motra, Hana. Une gjithmonë e kam ngucë babin se e ka dashtë nanën veç pse ka ka qenë Miss Kosova. Po po, në vitin  1974, me sa më kujtohet nana jeme ka qenë Miss” tregon Besa pa modesti.

Rrëfimi i Besës të ngjan në një ‘llunapark emocional’. Ngjarje, rrëfime e tregime plot ngjyra, edhe nga ato më të errëtat. Periudha kur ajo kaplohet nga ndjenjat, më së shumti, është kur prindërit e saj kishin vendosur të shkëputnin martesën.

“Isha vetëm 5 vjeçe. Për mua nuk ishte Mixha Ramë. Ishte babi im. Dhe ai një ditë vetëm shkoi dhe nuk u kthye më në shtëpi” tregon Besa plot mall e mllef.

Mixha Ramë më vonë ishte martuar një grua nga Maqedonia, e cila tani jeton në Amerikë.

“Po, e kam edhe një motër e një vëlla në Amerikë: Elizën dhe Gencin. U trashëguan emrat e fëmijëve nga martesa e parë, pas tragjedisë. Në këtë banesë ku sot po e zhvillojmë intervistën, babi kishte jetu për disa vjet, e unë me nanën e motrën kemi jetu shumë afër. Pas divorcit, gjyqeve, letrave, jeta jonë ndryshoi komplet” tregon Besa, 38 vjeçare.

Edhe nëna e Besës, si nënë e vetme me dy vajza, mbeti pa punën e saj në Radio Televizionin e Prishtinës, kur regjimi nisi t`i largonte shqiptarët nga vendet e tyre të punës.

“Nana, me gjithë vuajtjet e saj, neve asnjëherë nuk na ka ndaluar kontaktin me babin. Kemi jetuar praktikisht në një mahallë. Pavarësisht nervozave të saj, ajo nuk na ka ndaluar. Në këtë banesë ku jemi tash kam kujtime shumë të çmueshme. Drejt prej shkollës vijsha këtu te babi. Nana nuk na ka ngarku asnjëherë me ndarjen, por mu çka m`ka lodhë e mundu gjithmonë, ka qenë fakti që nana ka qenë e pikëllume edhe e përlotur çdo ditë. Duke mos e anashkalu asnjëherë presionin e shoqërisë së asaj kohe, ajo e ka pasur tejet të vështirë ta përballojë dhimbjen e asaj ndarje. Unë si fëmijë, si çdo fëmijë, kam dashtë me qenë aty ku ka pasë jetë e gjallëri. Një kohë bukur të mirë e kam kalu këtu te babi si fëmijë. Babi nuk ka qenë shumë prezent shkaku i angazhimeve të tij, e nana në anën tjetër është lënduar çdo ditë më shumë” rrëfen Besa.

Mixha Ramë shquhej në opinionin shqiptar të ish-Jugosllavisë si humorist i metaforave. Një kohë të gjatë punoi si redaktor përgjegjës i programit humoristik në ish Radio Prishtinë, ndërsa ishte angazhuar si redaktor në programin kulturo-arsimor në Radio Kosovë.

Paraqitjen e parë para publikut, Mixha Ramë e pati në Gjakovë, ndërsa talenti i ishte zbuluar nga shkrimtari Rifat Kukaj. Kukaj, për një kohë të gjatë i ka shkruar skenaret për skeçet humoristike të Mixhës Ramë, duke e veshur kësisoj një djalë të ri me një rol e petk, të cilin ai do ta mishëronte e do ta performonte deri në ditët e fundit të jetës së tij. 

“Përderisa aktorët profesionistë kanë pasur role në filma e teatër, dhe dihet se jo e gjithë Kosova kishte qasje në teatër e film, babi këtu e ka përdorur mjeshtërinë e tij dhe ka arritë me u futë në çdo shtëpi me meselet e tij, përmes radios. Komunikim masiv qysh atëherë. Është e mahnitshme e pothujse magjike, se si babi dhe axha Rifat kanë arritë me e përvetësu karakterin e Mixhës Ramë. Në një botë ideale, edhe aktorit edhe autorit duhet me i flejtë në shpirt roli. Dhe si duket ky kombinim perfekt kishte ndodhur. Ajo çka ka pasuar më vonë, kur babi edhe ka dalë në publik, ka qenë art e aktrim shumë specifik. Stand up komedi? Jo. Nuk ishte stand up komedi. Sepse babi nuk ngjitej në skenë vetëm për të bërë humor. Kishte mesele aty. Kishte mesazhe. Kishte këshilla. Kishte mishërim të çdo teme me pak humor e shumë satirë. Unë këto analiza i kam bërë tash vonë, sepse si fëmijë nuk e kuptoja se çka po flitet, çka po ndodhë. Këto meselet me kunxha nuk i kam kuptuar asnjëherë. Deri shumë vonë, në fakt” tregon Besa.

Në vitin 1994, Besa bashkë me nënën e saj dhe me motrën ishin larguar për në Zvicër, ndërsa Fitim Domi kishte vazhduar të jetojë në Kosovë edhe për një kohë.

“Babin për herë të parë para publikut e kam përjetuar në vitin 1996, në një turne me plot artista nga Kosova. Babi ishte fascinues dhe shumë i dashtun për publikun. Unë atëherë 14 vjeçare. Duartrokitjet për babin nuk kishin të ndalur. Çfarë përjetimi për mua! Një adoleshente me një babë superstar. Nuk e harroj asnjëherë se si publiku gjuante dhurata nga më të ndryshmet në drejtim të babit. Prej zinxhirëve të artë, deri tek orat më të shtrenjta” tregon Besa.

Fitmi kishte një veti interesante dhe të veçantë. Besa tregon se si ai pas koncerteve ndalonte me orë të tëra për ta takuar secilin nga publiku, për ndonjë fotografi dhe për t’ua kthyer gjërat me vlerë. “Oh bab ju kthejsha se mendojsha qe i bijnë pishman e kthehen e i lypin” citon Besa babin e saj duke qeshur me zë.

Në këtë kohë, anipse edhe ajrit i vinte era luftë e barut, Mixha Ramë po vazhdonte me turnetë e tij nëpër Kosovë e diasporë me satirën e tij, e cila po e mahniste popullatën shqiptare, dhe i largonte ata bile për pak çaste nga ankthi, depresioni e frika e luftës.

“Marrëdhënia ime me babin tim ndahet në tri etapa: periudha e fëmijërisë deri te ndarja e prindërve,  pastaj periudha post-ndarje, dhe periudha kur babi është kthyer nga Amerika në vitin 2007. Kjo e fundit është më kuptimplotë. Deri sa babi ka jetuar në Amerikë, kontaktin e kishim sporadik. Në vitin 2007 veç kur më thirri, e më tha që po kthehet me jetu në Kosovë. Dhe papritmas, unë në moshën 25 vjeçare e përjetova ndjenjën me pasë babë. E kisha vuajtur mungesën e tij në heshtje” tregon Besa.

Fitim Domi u shpërngul në Amerikë diku në mes të viteve 90-ta, me Bukurijen, gruan e tij të tretë dhe fëmijët. Në vitin 2007 ai kthehet në Kosovë, mirëpo pa Bukurijen. Rrugët me gruan e tij të tretë ishin ndarë poashtu. 

“Ndodhi si një kthesë e madhe në jetën time kur babi erdhi nga  Amerika. Për mu, atë ditë kur ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës, gjithçka është ndalë. Krejt jetën e kom qitë në pauzë. Për mu ka ekzistu veç babi. Vazhdimisht kom qajtë prej gëzimit, prej ndjenjave. Sa mllef, sa mall, sa vite të humbuna. I thojsha –o bab, nuk po muj me besu që po i thom dikujna bab-. I lashë anash edhe studimet e masterit. 24 orë isha me babin, smujsha me u ngi. Nuk isha e vetme këtu. Edhe publiku kishte pasë etje për të. Krejt  mundoheshin me ma marrë babin,  e unë e dojsha veç për veti.  2 milion pyetje i kisha për të. Isha  e uritur për muhabet, për përgjigjje. Shumë më gjykonin pse unë po e pranoja kaq lehtë babin, se me demek ai na ka braktisë, por unë kisha nevojë me e njoftu babin edhe me e ndëgju atë se çfarë kishte për t’më treguar” thotë Besa.

“Babi, në Amerikë, ka punuar në një fabrikë që prodhonte autopjesë. Kur ka pasë ngjarje që janë organizuar nga shqiptarët, e di që shpesh edhe ka refuzu me shku. Puna fizike e ka lodhë dhe thujse e ka gërryer shpirtin e tij bohem. E kishte lënduar edhe gishtin në fabrikë, dhe sa herë që ia hidhte një sy gishtit, sytë i përloteshin” tregon Besa e mallëngjyer.

“Oh! Unë besoj tani që roli i Mixhës Ramë ishte goxha politik. Vonë e kam kuptuar që babi e ka dashtë shumë Rugovën, dhe përderisa Rugova i fliste ndoshta pjesës intelektuale e diplomatike, babi komunikonte mesazhet e tij, në gjuhën e popullit” sqaron Besa. 

*

E kam të pamundur ta thjeshtëzoj tregimin për jetën e Mixhës Ramë, por më duhet që edhe momenteve më të rëndomta dhe atyre më të pezmatuara t’u jap një dozë të humorit, të thumbimit, njëjtë si bënte Mixha Ramë me rolin e shfaqjet e tij para publikut. Gati se njëjtë, e kam të pamundur edhe ta drejtoj e linjëzoj jetën e Mixhës Ramë, prandaj po shëtisim me Besën nga një periudhë e jetës në tjetrën, për ta shoshitur mirë një humorist të kalibrit siç ishte Mixha Ramë.

Mixha Ramë ka lexuar shumë, poashtu e ka studiuar çdo tekst, skeç a tregim që e pranonte.

Për t’iu kthyer edhe pak jetës së tij private, Besa tregon se si nëna e saj, për dallim prej Fitimit të relaksuar, fleksibil, burrit që nuk i dihej ku është në drekë a në darkë, ishte më autoritative, më strikte.

“Nana gjithmonë ka qenë e veshun shumë mirë, gjithnjë e përmbajtun, dhe patjetër: gruaja e Fitim Domit, derisa ishte gruaja e tij” rrëfen Besa për nënën e saj me humor.

“Nanën e adhuroj për menaxhimin e situatës, sepse edhe nëse në shtëpi ka qenë e lodhun dhe e mërzitun, jashtë ajo gjithmonë ka shkëlqyer. Edhe pas ndarjes me babin” tregon Besa.

Kah fundi i tregimit, që është i paktë për jetën e plotë të Mixhës Ramë, sikur kthehemi prapë në fëmijërinë e Fitimit.

“Për gjyshen kishte shumë akuza, por megjithatë babi është kujdesur për të, derisa ka shku në Amerikë. Zyhraja, gjyshja, ka mbetë këtu, deri në vitin 1995 kur ka ndërruar jetë. Mixha Ramë ka qenë shumë i dashtun, për të gjithë, e më së paku për familjen e tij të ngushtë. Kjo mund edhe të tingllojë absurde për shumicën, mirëpo babi ka pasur shumë përjetime të rënda  në jetë, e poashtu edhe ka bërë shumë gabime. Unë besoj fuqishëm, pa dashjen e tij. Babit nuk kishte kush t’ia mësonte dashninë e ngrohtësinë e familjes. Atë e kishte gjetur gjetiu. Në shoqni, në publik e në skenë. Dhe atyre pikërisht iu ka falur më së shumti dashni. Ai ka qenë vetëm një produkt i jetës së tij. Mua më dhemb shumë, që as ne ndoshta nuk kemi mbërri me i tregu se sa shume e kemi dashtë” tregon Besa, vajza e Fitim Domit – Mixhës Ramë.

Më 9 qershor 2014, Besa Domi gjatë një pauze të drekës në qytet, pranon telefonatën më të kobshme: që babai i saj kishte ndërruar jetë po atë mëngjes, në banesën e tij.

“Raporti i autopsisë thotë që ishte sulm në zemër. Unë katër ditë para se babi me ndërru jetë, u ndëgjova me të, edhe ashtu si me humor ankohej nga reuma” rrëfen Besa, e përlotur për të buzëqeshur prapë, kur e kujton telefonatën e fundit me babain e saj. “S`po më kujtohet mjeku a m`tha me i shti këmbët në ujë të nxehtë a të ftohtë”, citon Besa babin e saj duke shtuar se asnjëherë nuk e kishte konsideruar serioze ndonjë ankesë nga ai.

”Krejt i kthente në humor. Pastaj ka qenë shume vital. Vdiq 74 vjeçar. Për mua shumë i ri. Sot, dhimbjet më vijnë valë valë. Herë e akuzoj pse më la, e më shpesh kam kujtime të bukura. Ndoshta tingëlloj pak si   e çmendur, por unë ende flas me të. Në këtë banesë unë e ndjej praninë e tij, është një vend i sigurtë për mua edhe për djalin tim. Thujse na mbron Aleksandrin edhe mua” tregon Besa.

Nuk preferojmë as Besa, e as unë të bëjmë teatër e dramatizojmë gjërat, por po flasim për jetën e ikonës Mixha Ramë, me humorin që lexohet mes rreshtave të mërzisë dhe jetës së plagosur, që e shoqëroi nëpër vite Fitim Domin.

Besa, dashuri të veçantë ka edhe për këngët e tekstet e këngëve të Fitim Domit. Mixha Ramë edhe kishte kënduar.

“Më së shumti e du ‘E dehun jam’. Babi e ka përkthy, pershtatë e shkru këtë tekst per tezen Nexhmije”.  

Në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së Fitim Domit, Besa thotë se pjesa më mbresëlënëse për të ishte prezenca e  shokëve e shoqeve të babait të saj, që ishin rritur me të në strehimoren e Prizrenit.  Kjo i mjafton Besës, përtej respekteve institucionale nga figurat e politikës.

“Diku në një intervistë babi e tregon një përrallë: Shkon njoni me peshku shpesh dhe vazhdimisht e sheh një tjetër peshkatar, të zemëruar e mërzitun krejt kohën. Ky i pari i thotë të dytit: pse je kaq i mërzitun, nuk po flet me askënd. Hajde me mu shkojmë te njoni që po na bën të qeshim të gjithëve. Peshkatari insiston disa ditë rresht, me e marrë këtë burrë të mërzitur e të vuajtur, për me e argëtu. Dikur i kthehet burri në vaj dhe i thotë: O unë jom ai që po i bëj me qeshë të tjerët.’ Kjo përrallë e babit më shoqëron gjithmonë dhe mendoj që është bukur e thellë edhe i përshtatet saktësisht jetës së Mixhës Ramë” përfundon rrëfimin e saj Besa Domi.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të ngjajshme