Rritet numri i turistëve që e vizitojnë Shqipërinë

21 Nëntor, 2017 - 8:45 pm

Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për turizëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti u rrit me ritme dyshifrore.

Sipas raportit të publikuar të martën nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në dhjetëmujorin e 2017 është 4.6 milionë, duke u rritur me 7,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Por referuar shifrave të INSTAT-it të huajt që vizituan Shqipërinë për qëllime turizmi u rritën me 21% gjatë 10 mujorit.

Polonia renditet ndër vendet që kanë rritjen më të lartë të numrit të turistëve që vizituan Shqipërinë, me rreth 74%. Gjithsej 113 mijë polakë vizituan Shqipërinë në 10-mujorin e parë të 2017-s.
Rritje të lartë kanë shënuar dhe turistët italianë, me 42%. Hyrjet nga shtetasit nga Anglia u rritën me 26% ose 116 mijë persona, duke u renditur pas Italisë. Pavarësisht rritjes, pesha e tyre ndaj totalit të hyrjeve është vetëm 2.4%.

Rritje e vizitorëve të huaj është parë jo vetëm në vijën tonë bregdetare ku janë dhe plazhet më të reklamuara si, ai i Sarandës, Dhërmiut, Vlorës, Durrësit apo Shëngjinit e Velipojës, por edhe në zonat tona malore pati më shumë lëvizje vizitorësh të huaj.

Kjo konfirmohet edhe nga operatorët turistike. / KultPlus.com

Të ngjajshme