Rritje e vizitorëve në destinacione kulturore, mbi 50 mijë në muze

4 Shkurt, 2019 - 8:00 pm

Aktivitetet kulturore u shtuan ndjeshëm në Shqipëri gjatë vitit 2018.

Të dhënat zyrtare të INSTAT, bëjnë të ditur se numri i shfaqjeve kulturore në tremujorin e katërt 2018 shënoi 346, me një rritje 3,3%, në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Ndërkohë numri i shfaqjeve dhe ekspozitave gjatë  vitit 2018, arriti në 1011, duke shënuar një rritje me 21,7%, në krahasim me 2017.

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt 2018, Teatri Kombëtar Eksperimental kryesoi me  numrin më të lartë të shfaqjeve, 173 të tilla, duke shënuar rritje prej 31,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa në Galerinë Kombëtare të Arteve, u realizua një ekspozitë në 3-mujorin katërt 2018 dhe Teatri Kombëtar Eksperimental realizoi numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, me 457 të tilla, duke shënuar një rritje prej 42,8 %, krahasuar me periudhën e mëparshme. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë renditet e dyta për numrin më të lartë të shfaqjeve/ekspozitave, me 243 shfaqje të realizuara për vitin 2018, ose 29,9 % më shumë  krahasuar me vitin 2017.

INSTAT njofton se, rritjen më të lartë në përqindje për numrin e vizitorëve/spektatorëve, në tremujorin e katërt 2018 e ka shënuar Teatri Kombëtar Eksperimental me 14,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa Teatri Kombëtar i Operas Baletit dhe Ansamblit Popullor shënuan 24.873 spektatorë/vizitorë dhe në Teatrin Kombëtar Eksperimental ka patur 65.989 spektatorë/vizitorë, ose 51,5 % më shumë se në vitin 2017.

Numri i vizitorëve në muze, në tremujorin e katërt 2018 është 58.281, duke shënuar rritje me 10,4%, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Në kala e monumente të tjera, në tremujorin e katërt 2018, numri i vizitorëve është rritur me 39,7%, krahasuar me të njëjtit tremujor në vitin 2017. Numri i vizitorëve në parqe arkeologjike, në tremujorin e katërt 2018 është 37.026, me rritje prej 24,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë, të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve në muze, kala e monumente të tjera, si dhe në parqe arkeologjike, për vitin 2018 është 988.352, duke shënuar rritje me 49,1%, krahasuar me vitin 2017.

INSTAT bën të ditur se, në tremujorin e katërt 2018, në Bibliotekën Kombëtare janë afishuar 5186 botime, nga të cilat 1031 ishin tituj të rinj dhe 4155 ekzemplarë të rinj. Ndërsa numri i botimeve përgjatë vitin 2018, është 14.186, nga këto 2895 botime ishin tituj të rinj dhe 11.291 ekzemplarë të rinj, citon njoftimi i INSTAT. /ata

Të ngjajshme