Rruga që u mbyll sot në Prishtinë pritet të shndërrohet në shesh

30 Shtator, 2018 - 11:45 am

Njëra prej rrugëve më të frekuentuara të kryeqytetit ajo nga Hotel Grandi deri te Katedralja pritet të shndërrohet në shesh për mbajtjen e aktiviteteve të ndryshme. Rruga në fjalë po testohet sot pasi e njëjta është e pa qarkullueshme për automjete që nga mëngjesi.

Mësohet se kjo rrugë do të qëndrojë e mbyllur deri në orën 24:00 dhe një praktikë e tillë do të përsëritet edhe në fundjava të tjera, që brenda asaj hapësire të zhvillohen aktivitete të ndryshme. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, për Express.

“Ajo pjesë së shpejti do të shndërrohet në shesh. Në kudadër të këtij projekti është edhe vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me këtë çështje. Për këtë arsye është mbyllur sot nga ora 06:00 deri në ora 24:00. Plani është që kjo te përsëritet disa herë, edhe në fundjava të tjera, dhe brenda asaj hapësire të zhvillohen aktivitete të ndryshme”, tha Tahiri.

Sidoqoftë, kjo rrugë parasheh realizimin e projektit të parkut që do të ndërtohet tek Fakulteti Filologjik dhe parkingut nëntokësor në po atë hapësirë.

Ky vendim i Komunës së Prishtinës për mbylljen e disa rrugëve të qendrës së kryeqytetit për qarkullim të automjeteve është bërë kohë më parë në bashkëpunim me institucionet shtetërore.

Të ngjajshme